TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Shtator 2025, 22:10

Nga vilat në Dubai tek laboratorët e kokainës në Bruksel: si u shemb ‘perandoria’ Çopja!

Shkruar nga Pamfleti

Nga vilat në Dubai tek laboratorët e kokainës në Bruksel: si

Luks, gjakderdhje dhe miliona euro të sekuestruara, klani Çopja ndër më të rrezikshmit në Europë...

Një goditje e rëndë iu dha në fillim të gushtit një prej organizatave më të rrezikshme kriminale shqiptare në botë. Policia shqiptare, e mbështetur nga Franca, Belgjika, Gjermania, Holanda dhe Italia, ndërmori bastisje të reja kundër pasurive të klanit famëkeq Çopja, i njohur në botën e trafikut të drogës për importimin e dhjetëra tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës.

Pas disa vitesh hetime, 10 drejtues të lartë të organizatës u arrestuan, ndërsa autoritetet sekuestruan një kompleks hotelier, vila me pishina, apartamente dhe makina luksoze, të vlerësuara në miliona euro. Vetëm në këtë aksion u gjetën gjithashtu 120 mijë euro cash.

Por, sipas hetuesve ndërkombëtarë, ky është vetëm “maja e ajsbergut”. Kjo familje kriminale, e drejtuar nga dy vëllezër nga Elbasani – Franc dhe Hajdar Çopja – ka ndërtuar një nga perandoritë më të mëdha mafioze në Evropë.

Nga Elbasani në kryeqytetet e drogës europiane

Historia e tyre nis në vitin 2007 në Elbasan. Franci, atëherë vetëm 17 vjeç, i etur për pushtet e para, hyri në botën e drogës dhe tërhoqi pas vetes edhe vëllanë më të madh, Hajdarin. Me shpejtësi ata hynë në kontakt me kartelet e kokainës në Paraguaj dhe Kolumbi, duke negociuar çmime dhe duke sjellë ngarkesa gjigante drejt Evropës.

Në pak vite, Çopjat u bënë ndër pionierët e laboratorëve të kokainës në Evropë, duke ngritur rrjete prodhimi në Belgjikë e Holandë. Vetëm në vitin 2020, sipas dosjeve hetimore, ata futën në Evropë të paktën 28 tonë kokainë.

Operacionet ndërkombëtare dhe rënia e perandorisë

Në tetor 2021, policia belge me mbi 1.100 efektivë zbarkoi në 11 laboratorë kokaine të lidhur me Çopjat, ku sekuestroi 32 tonë lëndë narkotike dhe pasuri luksoze me vlerë mbi 7 milionë euro.

Në korrik 2024, në kuadër të operacionit “Gorgonë”, Europol koordinoi arrestimin e 15 anëtarëve të tjerë të klanit në Tiranë, duke sekuestruar pasuri dhe 1 milion euro në para të thata.

Këto goditje u bënë të mundura falë mbylljes së aplikacionit të komunikimit të krimit të organizuar SkyECC në vitin 2021, ku Çopjat kishin lënë gjurmë të qarta të aktivitetit të tyre.

Nga Durrësi te Dubai, paratë e pista dhe gjakderdhja

Me fitimet marramendëse, Çopjat investuan në pasuri të paluajtshme në Tiranë e Elbasan, blenë biznese, ndërsa Franc Çopja zhvendosi “selinë” e klanit në Dubai, ku ndërtoi vila luksoze dhe investoi rreth 200 milionë euro.

Nga vilat në Dubai tek laboratorët e kokainës në Bruksel: si

Por suksesi solli edhe gjakderdhje. Në vitet 2019–2020, klani Çopja u përfshi në një luftë të përgjakshme me një tjetër grup mafioz shqiptar, klanin Alibej, që përfundoi me të paktën nëntë vrasje mafioze në Belgjikë dhe Shqipëri, mes tyre ekzekutimi i bujshëm i rivalit Ardit Spahiu në Molenbeek, Bruksel.

Arrestime spektakolare dhe fundi i dinastisë Çopja?

Në vitin 2023, autoritetet e Dubait arrestuan Franc Copjan (që përdorte identitetin Franc Gergely) dhe e ekstraduan drejt Belgjikës për t’u gjykuar për vrasje, trafik droge, armë, shpërdorim fondesh dhe korrupsion. Hajdari u arrestua vitin pasues, po ashtu në Emiratet e Bashkuara.

Nga vilat në Dubai tek laboratorët e kokainës në Bruksel: si

Tashmë, pas valës së fundit të arrestimeve dhe sekuestrimeve, duket se perandoria e Çopjave po shembet nën presionin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Por ekspertët paralajmërojnë: boshllëkun që lë pas një klan kaq i fuqishëm do ta synojnë menjëherë grupe të tjera kriminale, ndoshta po aq të pamëshirshme. /Përshtatur nga Le Soir  dhe Le Figaro

Lini një Përgjigje