
45-vjeçari po qarkullonte me makinë pranë stadiumit, kur drejt tij u qëllua me breshëri kallashnikovi nga 3 persona që dolën nga një mjet i parkuar në zonë.
Një atentat me armë zjarri ndodhi ditën e sotme në Lushnje, ku u qëllua me armë zjarri 45 vjeçari Juljan Sula. Ky i fundit mbeti i plagosur në këmbë. Julian Sula, i njohur ndryshe edhe si Juli i Pashakos, rreth orës 11 të kësaj të marte sapo kishte dalë nga banesa e tij në Karbunarë, ku në hyrje të Lushnjes i kishin ngritur pritë.
Burime për mediat bëjnë me dije se 45-vjeçari po qarkullonte me makinë pranë stadiumit, kur drejt tij u qëllua me breshëri kallashnikovi nga 3 persona që dolën nga një mjet i parkuar në zonë.
Për t’i shpëtuar plumbave, Sula u largua me mjet drejt banesës së tij në afërsi të së cilës e gjeti dhe policia. 45-vjeçari u gjet i plagosur në këmbë dhe mjekët ligjor do të saktësojnë rrethanat e këtij dëmtimi.
Ngjarja ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të Lushnjës mes spitalit dhe stadiumit të qytetit ku qytetarë të rastësishëm shpëtuan mrekullisht nga të shtënat me breshëri.
Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifat aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën. Në brendësi të automjetit te djegur, policia gjeti një kallashnikov dhe një pistoletë që dyshohet se u përkiste autorëve të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Të dhënat e mjetit dhe të armëve do të analizohen me imtësi nga ana e policisë me qëllim identifikimin e autorëve. Po ashtu po punohet me pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të zbuluar itenerarin e tyre dhe të dhëna që mund të çojnë në gjurmë të tyre.
Juljan Sula është një person me të shkuar kriminale, ku shpesh herë i dyshuar nga policia për ngjarje të rënda kriminale e të tjera herë si objekt i sulmeve.
Ndërkohë, 45-vjeçari është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë, ndërsa mësohet se deri më tani ka heshtur para uniformave blu duke mos dhënë asnjë informacion. Nga ana tjetër policia ka shoqëruar edhe 6 persona në Komisariat në lidhje me ngjarjen.
Julian Sulo, i njohur ndryshe edhe si Juli i Pashakos, është rival i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Sulo ka qenë i dyshuar edhe për atentatin e organizuar ndaj nipit të Bares, Xhulio Shkurti, në 2017-ën. Sulo u la i lirë pasi nuk kishte asnjë provë që e lidhte me atentatin, që njihet ndryshe edhe si masakra e Lushnjës.
Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg të përjetshëm, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, vendim i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë më 21 nëntor 2025. Në masakrën e Lushnjës u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagosjes e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut.
Lini një Përgjigje