
Një 33-vjeçar u kap në kushtet e flagrancës nga policia, teksa kishte sinjalizime që lëvizte i armatosur.
Në një njoftim zyrtar, Policia bëri të ditur finalizimin e operacionit të koduar “Operacionalja 72”, që çoi në pranga shtetasin Erik Çela, 33 vjeç, banues në Lushnje.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur në Lushnjë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit “Operacionalja 72”, lokalizuan dhe kapën në lagjen “Loni Dhamo” shtetasin E. Ç., i cili mbante me vete një armë zjarri pistoletë automatike, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me një krehër me 11 fishekë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 33 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia.
Lini një Përgjigje