
Dy vëllezër janë shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti, pas një sherri që patën me drejtuesin e mjetit.
Policia njofton se gjithçka ka nisur pas një parakaliminë autostradën “Durrës-Tiranë”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të datës 3 Gusht.
Policia ka identifikuar Emiljano dhe Elton Domi, 46 dhe 40 vjeç, si personat që dyshohet se qëlluan me armë në drejtim të mjetit ku udhëtonte shtetasi L.Sh, 35 vjeç.
“Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 01:00 të datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku u qëllua me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., 35 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasit E. D., 46 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, vëllezër, të dy banues në fshatin Xhafzotaj.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se pasi janë konfliktuar verbalisht, me 35-vjeçarin, për parakalimin me automjet, vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai. Nga të shtënat u dëmtua 35-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia.
Lini një Përgjigje