
Renato Hoxhaj u ekzekutua në prill të 2025 në Vlorë, ngjarje e cila ka çuar në pranga të paktën dy persona, ndërkohë që është shpallur në kërkim personi që kreu vrasjen.
Sipas Report TV, bëhet fjalë për shtetasin rumun Daniel Cornea, I cili është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare. Cornea është një person I skeduar për krime kundër personit, ndërsa ka dyshime se menjëherë pas vrasjes ai është larguar nga Shqipëria. Dyshimet janë se Cornea ka vepruar si një vrasës me pagesë, ndërsa autoritetet ligjzbatuese shqiptare kanë kryer procedurat për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.
Dyshimet janë se nga territori shqiptar, Cornea ka shkuar në Greqi dhe më pas ka humbur gjurmët. Sipas raportimeve, menjëherë pas krimit, pa humbur kohë, Cornea ka udhëtuar drejt Greqisë, duke mos I lënë askujt kohë për të rënë në gjurmët e tij.
Cornea dyshohet se është personi që shfaqet në kamerat e sigurisë me një veshje të çuditshme, e cila i ka shërbyer si maskim për të mos u identifikuar.
Vrasja e Renato Hoxhajt dyshohet se është porositur nga Dubai, ndërsa mendohet se shkak I vrasjes mund të jetë loja e dyfishtë që viktima ka bërë mes grupeve rivale kriminale.
Tre ditë më parë lidhur me vrasjen e Hoxhajt është arrestuar edhe Kleanth Bylyku allias Armando Gega, 42 vjeç. Ky I fundit u arrestua teksa po udhëtonte me një mjet tip Audi të bardhë, ndërsa Forcat Operacionale ndërhynë për ta vënë në pranga.
Bylyku nuk është një emër i panjohur për blutë e Vlorës pasi rezulton i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Gjykata e Vlorës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, i dyshuar per veprën penale “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç", njoftonte Policia e Vlorës.
Për vrasjen e Hoxhajt, më datë 30 prill u arrestua edhe Eris Mehmetaj, i akuzuar si bashkëpunëtor. Mehmetaj dyshohet se ka siguruar automjetin me të cilin autori ka lëvizur në Vlorë ditën e ngjarjes.
Lini një Përgjigje