
Dy persona, një 46-vjeçar dhe një i mitur u arrestuan në lidhje me vendosjen e një sasie tritoli në një fasoneri në zonën e Freskut në Tiranë.
Pas arrestimit, i vetmi që ka folur përpara hetuesve është 16-vjeçari, i cili ka thënë se Edmond Arapi e ka paguar për vendosjen e tritolit.
Arapi nuk ka folur pas arrestimit, por pritet të merret sërish në pyetje për të mësuar motivet e veprimeve kriminale. Pas vendosjes së tritolit, Edmond Arapi u fsheh në Himarë ku edhe u arrestua.
Ndërkohë pronari italian i fasonerisë është larguar në Itali ku pritet që me ardhjen e tij të merret në pyetje për të zbuluar motivet e konfliktit që ai ka me 46-vjeçarin Arapi.
Policia, në njoftimin e saj tha se i mituri ka marrë 100 mijë lekë të reja për të vendosur sasinë e tritolit në fasonerinë, në pronësi të një shtetasi italian.
"Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit E. A., 46 vjeç dhe i një shtetasi 16 vjeç. Nga veprimet hetimore dhe provat e siguruara dyshohet se 46-vjeçari e ka shtytur 16-vjeçarin, duke i ofruar shumë 100 000 lekë të rinj, për të vendosur sasisë e lëndës plasëse në fasonerinë në pronësi të shtetasit R. G.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një biçikletë e përdorur nga 16-vjeçari, e dyshuar e vjedhur më parë, veshjet që ai ka përdorur gjatë vendosjes së eksplozivit, si dhe një mekanizëm shkrehës arme, e cila u gjet gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. A."-njoftoi policia.
Lini një Përgjigje