TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Prill 2026, 14:29

Shqipëri-Britani, goditet emigracioni i paligjshëm; zgjerohet aksioni kundër krimit të organizuar

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëri-Britani, goditet emigracioni i paligjshëm; zgjerohet aksioni
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe zv.ambasadorja britanike

Policia e Shtetit dhe autoritetet britanike vlerësojnë rezultatet e task-forcës së përbashkët dhe zgjerojnë koordinimin në fusha të tjera të sigurisë

Policia e Shtetit dhe partnerët britanikë konfirmuan vijimin e bashkëpunimit strategjik në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, duke e konsideruar task-forcën e ngritur mes dy vendeve një mekanizëm me rezultate të prekshme.

Gjatë takimit mes drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe zëvendësambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Julia Sutherland, palët vlerësuan efektet e deritanishme të këtij koordinimi.

Sipas tyre, bashkëpunimi ka ndikuar në uljen e ndjeshme të rasteve të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe në goditjen e grupeve të përfshira në krimin e organizuar.

Hita e cilësoi të konsoliduar partneritetin me agjencitë ligjzbatuese britanike dhe tha se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar si partnere aktive në çështjet e sigurisë, brenda dhe jashtë vendit.

Bashkëpunimi mes dy vendeve po shtrihet edhe në drejtime të tjera, përfshirë Policinë Shkencore, teknologjinë e informacionit dhe kontrollin kufitar. Sipas të dhënave të bëra publike, ky koordinim ka ndihmuar edhe në goditjen e rasteve që lidhen me trafikun e armëve, pastrimin e parave dhe futjen e paligjshme të kapitaleve.

Zëvendësambasadorja Sutherland tha se ky bashkëpunim do të zgjerohet më tej dhe e vlerësoi atë si një shembull të shkëmbimit të ekspertizës dhe të besimit të ndërsjellë mes dy vendeve.

 

hita policia mbreteria e bashkuar

Lini një Përgjigje