
Seanca gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë” në GJKKO është shtyrë për datën 17 qershor në orën 10:00.
Mësohet se shkak është bërë mungesa e avokatëve të disa prej të pandehurve të kësaj dosjeje. Në vijim të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, gjykata ka vendosur të pezullojë afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit në këtë çështje, deri në zhvillimin e seancës së radhës.
Në këtë proces, të pandehurit përballen me akuza të rënda, përfshirë vrasje me pagesë, trafik droge dhe krijim të grupeve kriminale.
Dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, si Nuredin Dumani, janë thelbësore për hetimin dhe zhvillimin e procesit gjyqësor
Kujtojmë se seancat e fundit, ka qenë Erion Alibej i cili ka zbardhur disa nga vrasjet e bujshme në vend. Ai ka treguar se si ka kontaktuar me Nuredin Dumanin, për vrasjen e vëllezërve Haxhia, por gjithashtu ka rrëfyer edhe për vrasjen e vëllait të tij në Elbasan.
Seanca e ardhshme pritet të jetë vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të procesit dhe përfundimin e hetimeve në lidhje me këtë dosje të rëndësishme.
Kujtojmë se, në seancën e sotme pritej të vijonte dëshminë bashkëpunëtori i drejtësisë Erjon Alibej, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet pas arrestimit të tij për një sërë veprash të rënda penale.
Alibej akuzohet si kreu i një prej grupeve kriminale më të njohura në Elbasan, i cili ndodhet në hetim për trafik ndërkombëtar droge dhe porositje atentatesh për motive hakmarrjeje.
Në rrëfimin e tij, Alibej përmendi përplasjet me vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, si dhe me Suel Çelën, me të cilët më herët kishte pasur marrëdhënie të afërta. Ai i akuzoi dy vëllezërit Çopja si të përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, gjatë ngjarjes së rëndë të njohur si “Masakra e Bradasheshit” e ndodhur në vitin 2020, ku mbetën të vrarë edhe Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay.
Lini një Përgjigje