Kronike 7 Shtator 2023, 16:20

U arrestua në Rinas, Alban Bengasi del nesër para Gjykatës; pagoi 120 mijë euro Nuredin Dumanin për t'i vrarë ish-gruan

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua në Rinas, Alban Bengasi del nesër para Gjykatës; pagoi

Avokati Alban Bengasi i arrestuar një ditë më parë në Rinas teksa kthehej nga Dubai, pritet të dalë të premten para Gjykatës së Posaçme, për verifikimin e masës së sigurisë.

Në këtë seancë do të bëhet për herë të parë marrja në pyetje në lidhje me akuzat pasi në momentin e zhvillimit të aksionit “plumbi i artë” i shpëtoi arrestimit duke u arratisur jashtë vendit.

Me kërkesë të SPAK Gjykata e Posaçme ka vendosur në mungesë masën “arrest me burg” për Alban Bengasin, pasi akuzohet për “dhunë në familje” ndaj bashkëshortes Blerta Bengasi, ndodhur më datë 30.01.2020, rreth orës 11:30’, në rrugën Mihal Grameno, Tiranë.

Burime nga SPAK, thonë se avokati ka edhe akuzën e grupit të strukturuar kriminal të vrasjeve dhe krimeve të tjera me pagesë, ku bënte pjesë edhe Nuredin Dumani. Në njoftimin e publikuar në datën 11 gusht, për dërgimin e dosjes në gjyq, SPAK rendit si episod të 17 dhunën në familje të ushtruar ndaj bashkëshortes së Alban Bengasit. Ai duket se ka zgjedhur momentin kur dosja është dërguar për gjykim për tu kthyer nga Dubai ku qëndroi duke iu shmangur drejtësisë deri në këtë fazë. Burimet thonë se ky moment përkon edhe me kërkesën e bërë nga ish-gruaja e tij e cila pretendon lehtësim të pozitës së Bengasit me të cilin ka dy fëmijë. Sipas SPAK Blerta Bengasi, ish-bashkëshortja e avokatit Alban Bengasi, u dhunua fizikisht më 31 Janar të vitit 2020 teksa qëndronte në automjetin e saj.

Ajo humbi vetëdijen për të paktën 9 ditë megjithatë arriti t’i tregojë hetuesve identitetin e autorit duke thënë se ai ishte një person i moshës 28-33 vjeç, rreth 178 cm i gjatë, ezmer, flokë të errët të shkurtër.

Më shumë se 3 vite pas kësaj ngjarje, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani u tregoi hetuesve se porositësi i këtij sulmi ishte bashkëshorti i saj, Alban Bengasi me të cilin në atë kohë ajo ishte në proces divorci, i cili kishte paguar 120 mijë euro. Sipas Dumanit, Bengasi e donte të vdekur bashkëshorten e tij pasi dyshonte se ajo e kishte tradhtuar me shokun e tij të ngushtë. Nuredin Dumani i ka thënë grupit hetimor se personi që e ka kontaktuar fillimisht me avokatin ka qenë Festim Qoli, një nga 9 personat e arrestuar një ditë më parë në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Por të gjitha këto pretendime te Dumanit janë kundërshtuar nga Bengasi nepermjet avokatit.

 

alban bengasi gjykate nuredin dumani 120 mije euro