TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Korrik 2025, 15:45

U arrestua për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, Gjykata e Tiranës shuan masën për Edison Haxhiun; shkak tejkalimi i afateve!

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, Gjykata e Tiranës shuan

Sipas vendimit të gjykatës, masa e sigurisë ndaj Haxhiut u shua për shkak të tejkalimit të afateve hetimore.

Gjykata e Tiranës ka vendosur të shuajë masën e sigurisë ndaj Edison Haxhiut, i cili akuzohej si bashkëpunëtor në atentatin mafioz ndaj Gentjan Bejtjas, të ndodhur më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës.  

Sipas vendimit të gjykatës, masa e sigurisë ndaj Haxhiut u shua për shkak të tejkalimit të afateve hetimore. 30-vjeçari Haxhiu akuzohej nga Prokuroria e Tiranës për "krijim të kushteve për të kryer vrasje", pasi dyshohet se ka vënë në dispozicion një automjet tip "Golf 7", i cili u përdor për të larguar autorët e krimit pas djegies së makinës së përdorur në atentat, një "Land Rover Discover".  

Haxhiu u arrestua më 20 mars 2024, pesë ditë pas vrasjes së Gentjan Bejtjas, bashkë me Ilir Beqarajn. Prokuroria e akuzoi për "Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve" dhe për "Krijim kushtesh për të kryer vrasje", ndërsa çështja e tij u veçua nga ajo e të dyshuarve të tjerë për shkak të përfundimit të afateve hetimore. 

Hetimet për vrasjen e Bejtjas vijojnë, me Ilir Beqarajn i cili akuzohet për "Vrasje me paramendim" dhe një tjetër të dyshuar, Flodian Plaku i shpallur në kërkim, i cili dyshohet të jetë fshehur në Spanjë. 

Kujtojmë se Gentjan Bejtjas u ekzekutua me 45 plumba kallashnikovi, ndodhi ndërsa viktima po ujiste domatet në oborrin e shtëpisë së tij. Hetimet kanë treguar se Haxhiu ka pasur rol mbështetës, duke ndihmuar Ilir Beqarajn, alias Ilir Brahimi, i cili akuzohet si një nga autorët kryesorë të vrasjes. 

Lini një Përgjigje