Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në konferencën e sotme për mediat njoftoi finalizimin e një operacioni për arrestimin e Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes.
“Policia e Shtetit ka bërë të mundur sot arrestimin e dy eksponentëve të krimit të organizuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatave kriminale, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe. Ky lloj bashkëpunimi është produkt i mundit, përkushtimit dhe gjakut të këtyre djemve dhe vajzave në strukturën e policisë së shtetit por edhe bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara për operacionin e fshehtë të policisë. Dy emrat të cilët përmenda mund t’ju themi që është bërë ekzekutimi i vendimit të tyre dhe ata ndodhen pranë dhomave të sigurisë të Drejtorisë së Policisë Tiranë për vënien në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme.”, tha ai.
Por kush janë dy të shumëkërkuarit për drejtësinë shqitare, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe?
Plarent Dervishaj, i njohur si kunati i ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha, është një nga të akuzuarit e SPAK për atentatin e ndodhur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Tentativa e dështuar për të vrarë prokurorin Ndoj, i cili udhëtonte në makinë me të fortin e Sukthit, Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), i njohur si 'Rrumi i Shijakut', ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019. Në këtë atentat mbeti i vdekur shoferi i prokurorit, Andi Maloku.
SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 persona.
Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili mbante asokohe postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.
Në grupin e personave të akuzuar bëjnë pjesë të dënuarit Redian Rraja dhe Arjol Halilaj, ndërsa Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i atentatit së bashku me Ramazan Rrajan, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Edhe Julian Meçen, mik i Lulzim Berishës është një prej ish-drejtuesve të Bandës së Durrësit. Ai ishte shpallur në kërkim lidhur me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.
Julian Meçe ka qenë numri 2 i bandës së Durrësit tha Adriatik Coli një nga anëtarët e penduar të bandës, kur u arrestua.
Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Dervishajt iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy.
Lini një Përgjigje