
Një 44-vjeçar shqiptar u ekzekutua në shtetin e Miçiganit në SHBA, ndërsa ai ishte menaxher i një bar-restoranti.
Viktima u qëllua me dy plumba, ndërsa policia arrestoi një person si autori i dyshuar I krimit.
Siç rezulton nga të dhënat publike, viktima i identifikuar si Francesk Shkambi ishte i afërm i Elvis Shkambit, 30-vjeçarit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë, më 6 tetor.
Francesk Shkambi ishte personi që hapi pak javë më parë një fushatë GoFundMe për të mbledhur fonde në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit, duke u prezantuar si familjar i tyre. Fushata kërkonte mbështetje financiare për “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur”, ndërsa arriti të grumbullonte mbi 8000 dollarë.

Vrasja e Francesk Shkambit
Mediat amerikane raportuan se ngjarja u regjistrua rreth orës 21:30 me orën lokale, të dielën, në verandën e restorantit Prime 7 në Commerce Toënship, ku Francesk Shkambi ishte menaxher dhe bashkëpronar. Ai u gjet i plagosur rëndë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, ndërroi jetë më pas në spital.
Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në polici dhe u arrestua pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet të jetë arma e krimit, e raportuar më herët si e vjedhur.
Autoritetet amerikane thanë se viktima dhe autori e njihnin njëri-tjetrin dhe mes tyre kishte një konflikt të vazhdueshëm, por rrethanat e plota nuk janë bërë ende publike.
Lini një Përgjigje