TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Gusht 2025, 15:42

U kap me armë gati për qitje, arrestohet 37-vjeçari në Kurbin; 4 të tjerë në kërkim

Shkruar nga Pamfleti

U kap me armë gati për qitje, arrestohet 37-vjeçari në

Një konflikt mes pesë personave ka ndodhur ditën e sotme në Laç. Në pranga ka rënë Klajdi Rryta, alias Klajdi Tusha 37-vjeç, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ende nuk dihen shkaqet e sherrit, ndërsa raportohet se fatmirësisht nuk ka asnjë person të plagosur.

37-vjeçari u arrestua pasi u kap në flagrancë me pistoletë, me fishek në fole gati për qitje. Policia sekuestroi armën e zjarrit me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër gjatë konfliktit.

“Pas njoftimit për një konflikt fizik ndërmjet disa shtetasve, rreth orës 11:00, në rrugën “Kurbini”, Laç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë ndërhyrë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit fizik ndërmjet 5 shtetasve, gjatë të cilit dyshohet se është qëlluar edhe me armë zjarri.

Nga veprimet e shpejta u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. R., alias K. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e tipit “Glock”, me fishek në fole gati për qitje.

Nga të dhënat e para rezulton se shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë konflikt, të identifikuar me iniciale G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë; E. Sh., 29 vjeç; E. Sh., 34 vjeç; si dhe E. R., 32 vjeç, banues në Laç, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt, nga i cili nuk ka të dëmtuar.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim”, njoftoi policia.

Lini një Përgjigje