Një 31-vjeçar i shpallur në kërkim është ekstraduar nga Spanja.
Sipas policisë, bëhet fjalë për 31-vjeçarin Juxhin Koka, i cili akuzohet nga SPAK, se në shkurt 2025, në bashkëpunim me persona të tjerë, vodhi 200,000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit dhe korruptoi punonjës të Policisë për realizimin e veprës.
Gjykata e Krimeve të Rënda i kishte caktuar Kokës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, Kontrabanda me mallra të akcizës ose me pezullim të detyrimeve doganore dhe vjedhja, kryer në bashkëpunim.
Më 13 tetor, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Juxhin Kokën dhe 10 të tjerë. SPAK thotë se Juxhin Koka, në bashkëpunim me Mohammad Sallit, me detyrë kapiten i anijes, Nedio Mejdani, me detyrë oficer i parë i anijes, dhe Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom, marinarë të anijes me flamur tunizian realizuan të gjithë veprimtarinë kriminale.
Sipas hetimeve, Juxhin Koka dhe Drilon Malluta, i ofruan 10.000 euro punonjësit të policisë Armand Marvataj, që kishte për detyrë të ruante anijen e sekuestruar në Porto Romano, me qëllim që të lejonte nxjerrjen e sasisë së naftës së sekuestruar nga anija. Shuma e parave që polici kishte marrë ryshfet, u gjet dhe sekuestrua në banesën e policit Marvataj.
Nafta kontrabandë u nxorr nga anija më datë 27 janar 2025, në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes, Samir Bayoumy me detyrë inxhinier i tretë dhe përgjegjës teknik i anijes, marinarët, Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Ëissam Rostom dhe Abdoulmohaimen Shanata.
"Interpol Tirana/Vijon operacioni policor ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.
Akuzohet nga SPAK, se në muajin shkurt, 2025, korruptoi punonjësit e Policisë dhe vodhi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 200 000 litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit, ekstradohet nga Spanja, 31-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit, u finalizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, J. K., 31 vjeç.
Në muajin shkurt, 2025, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje