TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Nëntor 2025, 16:43

Vrasja e dyfishtë në Manëz për ekspresin e kafesë, dorëzohet në polici Daniel Pepa

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e dyfishtë në Manëz për ekspresin e kafesë,
Daniel Pepa

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 tetor, në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz...

Dorëzohet në polici autori i ngjarjes së rëndë që ndodhi në Manëz pak javë më parë, ku u vranë dy persona pas një sherri për ekspresin e kafesë. Bëhet fjalë për Daniel Pepën, i cili u arratis nga vendi i krimit.

"Specialistët për Krimin Kundër Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan shtetasin D. P., 21 vjeç, banues në fshatin Manëz, Njësia Manëz, Durrës. Arrestimi i tij u krye në zbatim të urdhrit të datës 14.11.2025, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ekzekutimin e vendimit penal nr. 622/1, datë 13.11.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj këtij shtetasi, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”. Këto veprime lidhen me ngjarjen e ndodhur më datë 22.10.2025, ku janë vrarë shtetasit F. P. dhe A. K., në Manëz, Durrës, ngjarje në të cilën ky shtetas rezulton i implikuar, i dyshuar si autor", tha policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 tetor, në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti. 

21-vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe ka kërkuar një kafe, por kamarieri 17-vjeçar Alteo Pepa i kishte thënë se ekspresi ishte fikur. Në atë moment, ndërhyri Flori Paluçi i cili ndodhej në lokal me disa persona të tjerë. Debati verbal mes palëve degradoi në përplasje fizike.

Pepa largua nga lokali me automjetin e tij, por pak më vonë u kthye bashkë me Ergi Kadiun dhe Aranit Kurtin (23 vjeç). Në momentin që ata tentuan të hyjnë sërish në lokal, Flori Paluçi doli jashtë dhe qëlloi në tokë me armë zjarri. Sipas hetimeve, Pepa reagoi duke qëlluar me armë drejt Paluçit, ndërsa Aranit Kurti e goditi atë me grusht në fytyrë. Ndërsa Paluçi ka qëlluar drejt të dyve.

Nga të shtënat, Kurti mbeti i vrarë në vend pasi u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit humbi jetën pak çaste më vonë nga plumbat e shkrepur nga Pepa.

Policia ka arrestuar katër persona të tjerë të përfshirë në ngjarje për moskallëzim krimi: Ergi Kadiu, Erald Cani dhe vëllezërit Taulant e Emirjan Beqja. Ndërkohë, përveç Daniel Pepës, në kërkim është edhe 30-vjeçari Gëzim Allci, i dyshuar për armëmbajtje pa leje, moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të vrasjes.

Lini një Përgjigje