Kanë shpërthyer komentet në rrjete sociale, në lidhje me vrasjen e Klodiana Vefës në Itali ku autori i dyshuar është bashkëshorti i saj Alfred Vefa.
Nëna e dy fëmijëve, e cila punonte në një piceri në zonën e Castelfiorentino, në Firenze ku dhe jetonte, ishte tejet aktive në rrjetet sociale. Në mesin e fotove të saj të pafundme, nuk mungojnë as ato me Alfredin, bashkëshortin 45-vjeçar me të cilin duket se donte të ndahej e që dyshohet si autor i vrasjes së saj.
Klodiana pak kohë më parë kishte shpërndarë një status në rrjete sociale, ku shkruan: "Nëse një burrë pret që një grua të jetë engjëll në jetën e saj, më parë duhet të krijojë parajsën për të. Sepse engjëjt nuk jetojnë në ferr”.
Që nga momenti kur u përhap lajmi se 35-vjeçarja ishte qëlluar për vdekje pak metra larg shtëpisë, miqtë e saj nëpër rrjete sociale kanë vërshuar në komente. Dhimbja për humbjen e Klodianës është përzier me mërinë për njeriun që i mori asaj jetën.
“Janë mësuar ta kenë gruan pronë, se kështu kanë parë në familje. Burrë vemje, jo gjë tjetër. Haram e paç qumështin e nënës!! Pushofsh në paqe, megjithëse nuk e di si mund të gjejë një shpirt paqe pa fëmijët afër! O zot sa e dhimbshme!”
“Një grua kaq e bukur dhe e re, u prefsh në paqe”.
“Ai i mallkuar do ta paguajë. Në tokë e dyshoj… në mënyrë që ajo pushojë në paqe. Kjo nuk është dashuri!”
“Maskara burrë, po fëmijët i la në mes të rrugës. Këta janë mostra, Zoti i dënoftë. Pastaj Klodiana, qofsh në paqe pranë perëndisë e dashur”.
“Nuk e kuptoj, si nuk i vjen keq për fëmijët e vet që i la pa mamin”.
“Vetëm burrë nuk i thuhet atij që vret një nënë, si do çfarë të kishte bërë”.
“Bastard!! U kalbsh në burg!! Çfarë luleje këpute, të gjorët fëmijë. Qofsh i mallkuar”
Këto janë vetëm disa prej komenteve për humbjen e 35-vjeçares.
Klodiana la pas djalin 17-vjeçar dhe vajzën 14 vjeçe. Mbrëmjen e së enjtes, Alfredi raportohet se i shkoi në shtëpinë ku gruaja jetonte me fëmijët dhe mes tyre nisi një zënkë. Më pas dolën jashtë në rrugë. Pak çaste më vonë u dëgjuan 3 të shtëna. Një prej plumbave i mori jetën Klodianës, ndërsa autori i dyshuar u largua me makinë nga vendi i ngjarjes.
Ishin fëmijët dhe familjarët që e gjetën të pajetë Klodianën. Autoritetet italiane aktualisht në kërkim kanë shpallur pikërisht bashkëshortin e saj. Nga raportimet e deritanishme në mediat fqinje thuhet se çifti po ndahej e se mes tyre kishte pasur debate herë pas here, me në qendër xhelozinë e Alfredit.
Ndërkohë, burime për mediat raportojnë se Klodiana ishte me origjinë nga Fushë Kruja dhe jetonte prej rreth 17 vitesh në Itali.