
Një ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik pak muaj më parë ka marrë një zhvillim të ri. Një 49-vjeçar me shtetësi palestineze, i akuzuar për vrasjen makabre të vajzës së tij në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë, është arrestuar në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Krimi ndodhi rreth dy muaj më parë, kur në banesën ku jetonte, u gjet pa shenja jete vajza e tij, e cila dyshohet se ishte goditur për vdekje me një mjet prerës. Menjëherë pas ngjarjes, autori ishte larguar nga Shqipëria, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Falë hetimeve të zgjeruara të kryera nga strukturat e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet homologe në Liban, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e të dyshuarit, i identifikuar si F. A., 49 vjeç. Ai është ndaluar nga autoritetet libaneze dhe po mbahen procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Arrestimi i tij në Liban shënon një hap të rëndësishëm në zbardhjen dhe ndëshkimin e një krimi që ka prekur ndjeshmërinë e opinionit publik dhe ka nxjerrë edhe një herë në pah sfidat që lidhen me dhunën brenda familjes.
"Akuzohet se vrau me mjet prerës, vajzën e tij, rreth 2 muaj më parë, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, arrestohet në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 49-vjeçari palestinez.
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, F. A., 49 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shtetasi F. A., në shkurt 2025, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, Tiranë, ka vrarë me mjet prerës, vajzën e tij, shtetasen R. A..
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave të Interpolit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.", njofton policia.
Lini një Përgjigje