Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Arsen Muskurtin, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij dhe të kunatës.
Krimi i rëndë ndodhi në gusht të vitit 2022, ku mbetën të vrarë Dritan dhe Nora Muskurti.
Gjykata ka shpallur fajtor Muskurtin për vrasjen e vëllait të tij dhe kunatës, si dhe për armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me burg përjetë. Sipas vendimit të gjykatës, dënimi i Muskurtit do të fillojë që prej datës 30 gusht 2022 kur dhe u arrestua. Mësohet se ai do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Gjatë hetimeve, Muskurti deklaroi se vrasjen e ka kryer për shkak të problematikave të vazhdueshme me të vëllanë, duke e akuzuar se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh. Debatet dhe konfliktet midis tyre kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk janë zgjidhur edhe pse i ishin drejtuar gjykatës duke çuar në aktin e rëndë.
Sherret e vazhdueshme mes dy vëllezërve u tensionuan pasi Arsen Muskurti kishte marrë një fletëthirrje gjyqi. Kallëzimi ishte bërë nga vëllai katër ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, i cili kërkonte urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje bashkë me të shoqen Norën. Menjëherë pasi ka marrë fletëthirrjen, Arseni ka shkuar në agjencinë e vëllait duke e vrarë bashkë me gruan.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit A. M., ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha aktet dhe provat të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, ka dëgjuar palët në pretendimet e tyre përfundimtare, në referim të neneve 379 e vijues të K.Pr.Penale, 79/c, 278/1, 55 të K.Penal, në emër të Republikës,
VENDOSI:
Deklarimin fajtor të të pandehurit A. M., për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare", parashikuar nga neni 79/c i K.Penal për vrasjen e vëllait të tij, shtetasit D.M. dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A. M., për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare", parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, për vrasjen e shtetases N.. M. dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Deklarimin fajtor të të pandehurit A. M., për kryerjen e veprës te "Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 vjet burgim.
Në bazë të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit me burgim të përjetshëm.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin A. M., të fillojë nga dita e arrestimit të tij, datë 30.08.2022 dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, prova materiale e sekuestruar “Arma e zjarrit pistoletë e markës" kaliber . mm me numër, si dhe një sasi prej copë fishekë luftarakë të kalibrit . mm; si dhe ”, të kalojnë në favor të shtetit, ndërsa dy aparatet e telefonave celularë të dy viktimave, t’u kthehen familjarëve të tyre.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimit.
U shpall në Tiranë sot më 15.10.2025.
Lini një Përgjigje