7 persona të plagosur është bilanci i aksidenti të rëndë të ndodhur pak më parë në Rrugën e Kombit. Dy makina të tipeve “Audi” dhe “BMW” janë përplasur ballazi me njëra-tjetrën dhe për pasojë personat që udhëtonin në të dyja mjetet kanë marrë dëmtime të rënda. Dy prej tyre madje u bllokuan në makina dhe u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Ndërkohë mes të plagosurve 3 janë fëmijë.
Në mjetin Audi udhëtonte një familje me 5 persona; babai (shofer) A.M., bashkëshortja D.M. dhe 3 vajzat e tyre të mitura.
Ndërsa në makinën tjetër me targa të Kosovës udhëtonin dy gra, B.S. dhe M.S.
“Rreth orës 20:50, në autostradën “Rruga e Kombit”, në zonën e Rrëshenit, janë përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjerë shtetasja D. M. e tre vajza të mitura ( familje), banuesë në Shëngjin, Lezhë, me mjetin tip “BMW” ku udhëtonin shtetaset B. S. dhe M. S. banuese në Kosovë.
Për pasojë janë lënduar fizikisht të gjithë personat që ndodheshin në mjetet e përfshira në aksident. Janë dërguar në Spitalin Rajonal të Rrëshenit 4 nga të dëmtuarit, ndërsa 3 prej tyre janë transportuar për në Spitalin e Traumës Tiranë, ku paraprakisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”, njoftoi policia.