Është proceduar në gjendje të lirë pronari i tregut në plazhin e Durrësit, pas zjarrit masiv që ra një ditë më parë.
Procedimi është për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe dje në Durrës pranë tregut.
Si pasojë e zjarrit në tregun ambulant u bllokua qarkullimi rrugor në rrugën “Pavarësia” në plazh.
Në tregun me llamarina gjenden mbi 20 dyqane që operojnë kryesisht gjatë sezonit veror.
Prefekti i qarkut Durrës Emilian Jani, thotë se ka dëme të shumta materiale dhe se ky treg, nuk përmbush asnjë kriter dhe kusht të sigurimit teknik.
“Zjarri i rënë në tregun industrial në plazhin e Durrësit është masiv, janë angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëset e Durrësit, Autoritetit Portual, bashkive Shijak dhe Kavajë, si edhe nga zjarrfikësit e Kamzës. Furnizime me bote uji kanë qenë nga të gjitha institucionet e Durrësit. Kemi dëme të konsiderueshme materiale. Ende nuk kemi një vlerësim të saktë, siç edhe nuk dimë shkakun e zjarrit. Organizimi i këtij tregu lë për të dëshiruar. Mendohet të jetë edhe si shkak i një shkëndije elektrike, është një treg që nuk përmbush asnjë kriter dhe kusht të sigurimit teknik. Ndaj zjarri ishte kaq masiv. Është një treg që menaxhohet nga privati. Dëmet ishin të shumta materiale por e rëndësishme është që nuk kishte viktima dhe pasoja në njerëz”, tha ai.
Lini një Përgjigje