
Një zbulim mahnitës arkeologjik në Izrael ka ndezur një valë të re teorish rreth fatit të Arkës misterioze të Besëlidhjes, kutisë së shenjtë të artë që sipas Biblës përmbante Dhjetë Urdhërimet dhe simbolizonte praninë hyjnore midis izraelitëve.
Ekipi i arkeologëve që punojnë në vendin biblik të Tel Shiloh, në malësitë qendrore të rajonit të lashtë të Efraimit, pretendojnë se kanë identifikuar mbetjet e një strukture guri që, sipas tyre, përputhet me dimensionet dhe strukturën e Tabernakullit.
"Ne kemi identifikuar një ndërtesë monumentale nga periudha e Epokës së Hekurit I që përputhet në mënyrë të përkryer me specifikimet biblike. Ajo është e orientuar lindje-perëndim dhe ka një raport të brendshëm prej 2 me 1, karakteristika që përshkruhen saktësisht në Eksodin", thotë Dr. Scott Stripling,I cili po drejton grupin e arkeologëve në gërmimet që po vijojnë.
Ekipi gjeti gjithashtu më shumë se 100,000 kocka kafshësh, kryesisht nga dele, dhi dhe qe, me një përqindje të konsiderueshme që vinte nga anët e djathta të kafshëve. Sipas Levitikut 7, anët e djathta ishin të rezervuara për ofertat priftërore, gjë që mbështet teorinë e një përdorimi kultik të hapësirës.
"Këto gjetje nuk mund të konsiderohen rastësi," tha Dr. Stripling për Christian Broadcasting Netëork (CBN), duke shtuar "provat për sakrificën rituale janë të shumta dhe në përputhje të plotë me përshkrimin biblik."
Qeramika e gjetur në të njëjtin vend daton gjithashtu në të njëjtën periudhë, duke e forcuar më tej lidhjen me epokën e Tabernakullit, i cili sipas Dhiatës së Vjetër u përdor për gati katër shekuj derisa Tempulli në Jerusalem u ndërtua nga Salomoni.

Shiloh: Kryeqyteti i parë fetar i Izraelit
Qyteti i lashtë i Shilohut mbante një vend të shquar në historinë izraelite, pasi ishte qendra e parë e përhershme e adhurimit të kombit pas Eksodit nga Egjipti. Ishte këtu që ndodhej Tabernaku dhe ku Eli shërbeu si kryeprift, siç përmendet në librin e 1-rë të Samuelit.
Tregimi biblik përshkruan një moment dramatik kur izraelitët, në luftë me filistinët, e çuan Arkën në fushën e betejës në kërkim të mbështetjes hyjnore, vetëm për të pësuar një disfatë të dhimbshme. Arka u kap, bijtë e Elit u vranë dhe kur kryeprifti i moshuar mori lajmin tragjik, ai ra nga karrigia e tij dhe vdiq.
Dr. Stripling beson se zbulimi i kohëve të fundit mund të korrespondojë me të njëjtën portë qyteti ku vdiq Eli, sipas rrëfimit biblik.
Shenjti i Shenjtërve dhe prania e Perëndisë
Brenda strukturës, arkeologët zbuluan një mur ndarës masiv që e ndante hapësirën në dy seksione, një strukturë që të kujton ndarjen e të Shenjtës nga e Shenjta e të Shenjtëve, siç përmendet në librin e Eksodit (kap. 26). Atje, sipas traditës, mbahej Arka, e konsideruar si vendi i banimit tokësor i pranisë hyjnore.
Misteri i përjetshëm i Arkës
Fati i Arkës së Besëlidhjes mbetet një nga misteret më të mëdha të historisë së lashtë dhe traditës biblike. Referencat e fundit për të në Bibël humbasin para shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit në vitin 586 para Krishtit.
Ndërsa vetë Arka mbetet e zhdukur, zbulimi i strukturës në Shiloh, i kombinuar me gjetjet ritual, nxjerr në dritë prova të reja rreth jetës, besimit dhe praktikave të izraelitëve të lashtë dhe e kthen në plan të parë kërkimin për objektin më të shenjtë të Biblës.
Gërmimet në Tel Shiloh vazhdojnë, me komunitetin shkencor që ndjek me interes të veçantë çdo zbulim të ri që mund të na sjellë më afër të kuptuarit të një vendi të shenjtë që shënoi rrjedhën e historisë dhe besimin e një populli të tërë.
Lini një Përgjigje