
“Doja t’i përqafoja e t’ju puthja duart këtyre profesionistëve...”. Me këto fjalë të ndjera, Eno Milkani ka përcjellë mirënjohjen për mjekët dhe infermierët që u kujdesën për babanë e tij, regjisorin e madh Piro Milkani, në ditët e fundit të jetës.
Në një postim emocionues, Eno falënderon stafin e QSUT-së për përkushtimin dhe humanizmin që shfaqën jo vetëm ndaj të ndjerit, por ndaj çdo pacienti tjetër. “Djem e vajza të rinj në moshë, njerëzorë në komunikim dhe hyjnorë në shërbim. Ju falënderoj”, shkruan ai.
Regjisori i njohur Piro Milkani u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të pasur në historinë e kinematografisë shqiptare.
Postimi i djalit të Piro Milkanit, Eno Milkani
Piro iku. Por në 10 ditët e fundit, ata që i qëndruan më pranë ishin mjekët dhe infermierët e spitalit në QSUT. I shërbyen me përkushtim jo vetëm atij, por edhe çdo pacienti tjetër që ndodhej aty. Doja t’i përqafoja e t’ju puthja duart këtyre profesionistëve, të cilët çdo ditë lehtësojnë shqetësimet dhe dhimbjet e familjarëve. Shpresoj t’i lexojnë këto fjalë zemre, sepse shpeshherë, kur nuk i kemi nevojë, duket sikur i harrojmë. Djem e vajza të rinj në moshë, njerëzorë në komunikim dhe hyjnorë në shërbim. Ju falënderoj.
Lini një Përgjigje