Kulture27 Nëntor 2023, 10:32

Profil/ Ndihmës mjeku që u bë aktor dhe shkëlqeu si regjisor, Mevlan Shanaj: Janë 46 kombe që kanë nevojë për mendjen e Ismail Kadare

Shkruar nga Pamfleti

Profil/ Ndihmës mjeku që u bë aktor dhe shkëlqeu si

Mevlan Shanaj është një figurë e dashur për publikun shqiptar si aktor, regjisor, producent  dhe skenarist. Në fillimet e tij nisi shkollën për ndihmës mjek dhe punoi dy vite në këtë profesion por më vonë e la përgjysmë për t’iu përkushtuar artit.

I ftuar në “Profil”, Euronews Albania, ai rrëfeu se kishte model Aleksandër Moisiun dhe donte të bëhej si ai, dhe kjo e shtyu për të ndryshuar rrugëtimin e jetës së tij e për t’u bërë artist.

Në vitin 1970 mori rolin e parë si Ibrahim Kovaçi apo Komisari Memo në filmin “I 8-ti në Bronx” film që i hapi rrugën jo vetëm përfshirjes së tij në kinematografi por edhe njohjes me emra të mëdhenj.

Mevlan Shanaj, përveç se ka luajtur role të dashura nga publiku shqiptar, është regjisor i shumë filmave para dhe pas 90-tës si “Lule të kuqe, lule të zeza”, “Fletë të bardha”, “I paharruari”, “Një telegram një këngë”, “Plumbat e perandorit”, Pallati 176” etj.

Artisti u pyet edhe për diskutimin mbi fshirjen e filmave të para 90-tës ku ai u përgjigj ashpër dhe me Kritika për ata që e kanë sjellë këtë diskutim: “Artistët që kanë kërkuar fshirjen e filmave të para 90-tës janë mediokër”. Madje ai nuk ishte dakord as që të shënohen filmat pasi e quajti “injorancë”.

Sa i përket jetës së tij familjare, regjisori tregoi për sekretin që martesa e tij vazhdon e lumtur prej më shumë se gjysmë shekulli me poeten dhe shkrimtaren Natasha Lako. Ai tha që respekti e mban një lidhje, sepse dashuria është kalimtare.

“Nuk e kam bërë ende filmin më të mirë të karrierës, deri tani po bëja prova, tani jam i ditur…”, rrëfeu Shanaj.

Sipas tij, arti, kultura e bëjnë njeriun më të zgjuar dhe më mendje hapur.

“Shqiptarët do ishin më njerëz po të shikonin filma, po të lexojnë libra. Po të shikojnë filma bëhen qytetarë më social, më të përmbajtur, më të ditur. Nga arti dhe nga kultura vetëm mend vijnë”,-tha Mevlan Shanaj.

Artisti komentoi dhe Ismail Kadarenë, për të cilin shprehu vlerësimin e tij dhe tha se shqiptarët që e anatemojnë nuk kanë të drejtë.

“Ismail Kadare është një artist nga Shqipëria, i përkthyer në 46 gjuhë. Mbylle gojën, kush je ti anonim? Ti je një njeri që s’di të lexosh ndër rreshta. Ka bërë kompromise, edhe ai ka bërë. Janë 46 kombe që kanë nevojë për mendjen e tij,” – u shpreh Shanaj. Ai është një figurë e dashur për publikun shqiptar si aktor, regjisor, producent  dhe skenarist.

mevlan shanaj profil