TAGS-AT E JAVËS

Kulture 1 Mars 2026, 21:26

Shuhet një tjetër parodist i Vlorës, ndahet nga jeta Mane Lumani

Shkruar nga Pamfleti
Shuhet një tjetër parodist i Vlorës, ndahet nga jeta Mane Lumani
Shuhet Mane Lumani

Bota e artit ka humbur një tjetër personalitet, Mane Lumani është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare...

Një tjetër anëtar i grupit të Parodistëve të Vlorës është ndarë nga jeta. Pas Muhamet Likos që u shua në vitin 2019, sot ka ndërruar jetë Mane Lumani, i cili luftoi për vite me një sëmundje të rëndë. Mësohet se Lumani kishte rreth një muaj i shtruar në spital, ndërsa sot ka ndërruar jetë.

Aktori i njohur vlonjat i humorit, Mane Lumani u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare. Ai ishte një prej figurave më të dashura të skenës shqiptare dhe pjesë e grupit legjendar “4 Parodistët e Vlorës”.

Lumani ishte një nga emrat që kontribuoi ndjeshëm në formësimin e humorit shqiptar, duke u bërë pjesë e pandashme e kujtesës artistike të disa brezave. Me stilin e tij të veçantë dhe interpretimet plot finesë, ai arriti të fitojë zemrat e publikut në mbarë vendin.

Shuhet një tjetër parodist i Vlorës, ndahet nga jeta Mane Lumani
Mane Lumani

Prej vitit 2004, aktori nuk fliste më, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në fyt, gjatë së cilës iu hoqën kordat vokale për shkak të një mase tumoriale. Megjithatë, kjo nuk e zbehu figurën e tij në artin shqiptar, ku ai kishte lënë tashmë një trashëgimi të konsoliduar.

Karrierën artistike e nisi në vitin 1974 si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës në Vlorë. Që në fillimet e tij, spikati për talentin në humor dhe aftësinë për të imituar personazhe të ndryshme, duke u veçuar për spontanitetin dhe elegancën në skenë.

Formimi i grupit “4 Parodistët e Vlorës” shënoi një pikë kthese për humorin në vend. Së bashku me Agron Hoxhën, Afrim Agallinë dhe më vonë Muhamet Likën, Mane Lumani kontribuoi në krijimin e një stili unik, të mbështetur në satirë dhe ironi, që pasqyronte realitetin shoqëror dhe politik të kohës.

Paroditë e tyre u kthyen në ikonë të artit skenik shqiptar, duke ofruar jo vetëm argëtim, por edhe një kritikë të hollë ndaj fenomeneve të kohës.

Mane Lumani mbetet një figurë e paharruar e kulturës shqiptare. Me humorin e tij të mençur dhe të ndjeshëm, ai i dha një kontribut të vyer artit skenik, ndërsa trashëgimia e tij vijon të jetojë në kujtesën e publikut dhe në historinë e humorit shqiptar.

Lini një Përgjigje