Një prej qytetarëve që mori fjalën para protestuesve deklaroi se pas 13 vitesh në pushtet, qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për, sipas tij, dështimet dhe aferat korruptive.
Protestuesi u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar, ndërsa iu drejtua edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të mendojnë rikthimin në Shqipëri.
“Për të 40-tën ditë themi: arresto Ballukun, jep dorëheqjen. Të ka ardhur fundi. Në 13 vite ne i dimë të gjitha dështimet e tua. Europa ka marrë gjithmonë më të mirët tanë. Çdo shqiptar ta mendojë kthimin në atdhe, kjo është toka jonë.”-u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, ai akuzoi drejtuesit politikë për korrupsion dhe kërkoi që të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.
“Nuk mund të lejojmë një kryeministër të korruptuar dhe një ish-kryeministër të korruptuar të vazhdojnë. Rama në burg, Berisha në burg.”-vijoi ai.
Në fund të fjalimit, protestuesi iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Rama me një apel për dorëheqje.
“Mos e bëj gangsterin si kryeministër, sepse nuk bëhesh dot kurrë i fortë me popullin. Me këtë popull kaq të bukur dhe të mrekullueshëm. Rama jep dorëheqjen, se po nuk e dhe do të heqim ne. Kjo është shtëpia jonë, ne vendosim.”-u shpreh qytetari.
Për të 40-ën ditë me radhë, qindra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kastës politike. Por ndërsa protesta vijonte me thirrje dhe fjalime kundër qeverisë, Rama u largua nga godina e Kryeministrisë, duke kaluar me eskortën e tij pranë protestuesve.
Kalimi i kryeministrit pranë tubimit u shoqërua me vijimin e protestës, ku qytetarët përsëritën thirrjet që kanë dominuar lëvizjen prej 40 ditësh, mes tyre "Rama jepe dorëheqjen", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Shqipëria kërkon revolucion".
Edhe këtë të enjte, protestuesit u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime kundër qeverisë dhe u kërkua sërish largimi i Edi Ramës nga drejtimi i vendit.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 40-të, vijon të zhvillohet çdo mbrëmje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e kryeministrit dhe realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë protestës së 40-të para Kryeministrisë, aktivisti Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për më 11 korrik, duke e cilësuar atë si një tubim të madh kundër qeverisë.
Në fjalën e tij, Kola i ftoi qytetarët të bojkotojnë si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe koncertin e reperit Kanye West, i planifikuar të zhvillohet në Tiranë.
"Në datën 11 do të jetë një protestë shumë e madhe dhe qytetarët do t’i bëjnë një bojkot të madh kryeministrit në ikje Edi Ramës dhe Kanye West," deklaroi prerazi Arben Kola, duke bërë thirrje për bashkim dhe ndërgjegjësim kombëtar përpara asaj që konsiderohet si dita e dënimit të madh publik për qeverisjen.
Deklarata u bë gjatë protestës së zhvilluar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku qytetarët vijuan tubimin e 40-të radhazi me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisje.

Prej 40 ditësh shqiptarët kanë dalë në protestë kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Profesori Lush Susaj në protestën e sotme bëri thirrje për bashkim, duke u shprehur se është shumë e rëndësishme që qytetarët të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre.
Gjithashtu u bëri thirrje edhe ambasadave europiane dhe të SHBA që të mbështesin popullin shqiptar në këtë rrugëtim.
“Qeverisja më e korruptuar, më hajdutë e më antishqiptare që ka pasur Shqipëria. I bëj thirrje studentëve dhe nxënësve të Shqipërisë, hidhni tutje të gjitha propagandat e partive dhe kthejuni interesave kombëtare. Kjo protestë është në shërbim të kombit. Duhet të luftojmë deri në fund që të kthejmë demokracinë, është një luftë në interes të pluralizmit dhe demokracisë. ]
I bëj thirrjeve ambasadave europianë ambasadave të SHBA, na ndihmoni dhe qëndroni me shqiptarët sepse me këtë klasë politike nuk është hajri as i joni dhe as i Europës. Boll me derrat e korrupsionit, shihni nga brezi i ri. Ju që fshiheni dhe heshtni ka për të ju mbuluar turpi”, tha mes të tjerash ai.

Në ditën e 40-të të protestës para Kryeministrisë, një qytetare u bëri thirrje shqiptarëve të mos tërhiqen nga protesta, duke deklaruar se qëndresa do të vijojë deri në largimin e qeverisë.
Duke folur para protestuesve, ajo tha se, pavarësisht aktiviteteve ndërkombëtare ku merr pjesë kryeministri Edi Rama, realiteti në Shqipëri mbetet ai i qytetarëve që prej 40 ditësh dalin çdo mbrëmje në shesh për të kërkuar ndryshim.
"Do të vazhdojmë derisa kjo qeveri të rrëzohet. Rama dje ishte shumë i gëzuar për Samitin, por çfarë do t'u thotë ai ndërkombëtarëve? Për Shqipërinë e qytetarëve që prej 40 ditësh dalin në shesh? Për natyrën që po e shet? Për të rinjtë që largohen sepse nuk gjejnë një vend pune në Shqipëri?", u shpreh protestuesja.
Ajo theksoi se protesta nuk do të ndalet derisa, sipas saj, të ketë një ndryshim të vërtetë politik, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar.
Protesta e ditës së 40-të po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, pasi qytetarët u grumbulluan fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe marshuan drejt bulevardit. Tubimi vijon me fjalime të aktivistëve dhe qytetarëve, të cilët kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kastës politike.
Protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë me pjata hallve, duke i vendosur para institucionit si një akt simbolik.
Protesta masive kundër qeverisë ka shënuar sot ditën e saj të 40-të radhazi, duke dëshmuar një qëndresë të jashtëzakonshme qytetare.
Mesazhet politike dhe revolta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sot kanë marrë një nuancë të fortë ironie dhe simbolike nga të rinjtë protestues.
Një grup të rinjsh kanë marshuar drejt godinës së Kryeministrisë duke mbajtur në duar pjata me hallvë, të cilat i kanë vendosur përpara institucionit kryesor të qeverisë.
Sipas traditës, kjo simbolikë lidhet drejtpërdrejt me ceremonitë mortore, dhe përmes këtij akti, rinia protestuese ka dashur të përcjellë mesazhin e “vdekjes së frikës” dhe fundit të kabinetit të Edi Ramës.
Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 40-të, ndërsa qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë kanë rikonfirmuar kërkesat që, sipas organizatorëve, mbeten të panegociueshme.
Gjatë tubimit, përfaqësuesit e protestës lexuan sërish platformën e revoltës, e cila, sipas tyre, është hartuar mbi bazën e propozimeve të ardhura nga qytetarët gjatë javëve të fundit.
Në krye të listës së kërkesave qëndron dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, e cila sipas tyre do të krijojë kushtet për reforma dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
Kërkesat e protestuesve:
-Dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.
-Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me një mandat të qartë 12-mujor.
-Hartimi i një Kushtetute të re, që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë:Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;
-Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike.
-Ruajtja e kërkesave fillestare ekonomike dhe mjedisore, konkretisht:Anulimin e ndryshimeve në ligjin për "Zonat e Mbrojtura";
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për "Trashëgiminë Kulturore";
-Shfuqizimin e "Paketës së Maleve";
-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për "Investimet Strategjike".
Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë protesta.
Përveç thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protesta e 40-të para Kryeministrisë u karakterizua edhe nga pankarta me mesazhe ironike dhe kritika politike.
Një nga pankartat që tërhoqi më shumë vëmendje mbante mbishkrimin "40 ditë, Tirana digjet, Rama krihet", duke u bërë një nga simbolet e tubimit.

Mes pankartave të shfaqura nga protestuesit ishte edhe ajo me mbishkrimin "Shqipëri e re", e shoqëruar me simbolin e shqiponjës dhe fotografi të aktivistëve të protestës.

Një tjetër pankartë mbante mesazhin "Iluzion – na nxori i bukur, doli i zi", ndërsa protestues të tjerë shfaqën slogane kundër korrupsionit, varfërisë dhe situatës ekonomike në vend.

Në një tjetër mesazh të ekspozuar gjatë tubimit lexohej: "Shteti i mbron punën shpëtimtarëve, parlamentarët, gjyqësia dhe SPAK kriminal. Kujdes ujit 7701".

Pankartat u shoqëruan me brohoritje të vazhdueshme si "Rama, dorëhiqu!" dhe "Poshtë qeveria!", ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre ndaj qeverisë.

Sot mbahet protesta e 40-të e qytetarëve kundër kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër politike. Pjesë e kësaj proteste ishte edhe një pensionist i cili ka shprehur revoltën e tij për korrupsionin e lartë, pensionet e ulëta në vend, dhe keqqeverisjen.
Ajo që e ka shtuar edhe më shumë revoltën është fakti që kryeministri Edi Rama njoftoi 4 mln euro për koncertin e Kanye West, ndërsa shprehet të revoltuar se spitalet janë pa kushte.
“Ne na bi gazepi për bukë. Ky a ka lajthitur apo jo. Çfarë është ky injorant. Ne vuajmë për një copë bukë…Populli është në mjerim”, u shpreh një pensionist.

Qindra e mijëra qytetarë janë mbledhur për të 40-herë para godinës së Kryeministrisë. Ata ripërsëritën sloganet "Rama, dorëhiqu!", "Poshtë qeveria" dhe "Shqipëria është e qytetarëve".
Ka nisur protesta e 40-të para godinës së Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Si asnjëherë më parë, sot bëhën 40 ditë protesta rresht, pa ndaluar.
Protestuesit, të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, janë mbledhur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke mbajtur pankarta dhe duke artikuluar thirrje kundër qeverisë. Në qendër të kërkesave të tyre mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit.
Ata ripërsëritën sloganet "Rama, dorëhiqu!", "Poshtë qeveria!" dhe "Shqipëria është e qytetarëve".
Në tubim marrin pjesë aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të nismës së njohur si "Revolucioni i Flamingove Rozë", si dhe qytetarë që kanë mbështetur protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë me fjalime dhe thirrje publike, duke theksuar se mobilizimi do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Gjatë protestës së djeshme, një nga organizatorët Arben Kola, mbajti një fjalim me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bojkotojnë koncertin e këngëtarit Kanye Ëest, i planifikuar të mbahet në Tiranë, ndërsa më pas përdori deklarata të forta ndaj kreut të qeverisë.
“Vazhdoni të prishni algoritmin dhe bojkotoni Kannye Ëest bashkë me Ramoviçin, i cili është çmendur dhe shpresojmë që shumë shpejtë të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë dhe Shqipëria të shpëtojë. Mbase nesër që janë të 40-at ja hamë edhe hallvën dhe të shpëtojmë. Mbase nesër vendos të hidhet ose nga charteri që po vjen nga Turqia, ose nga tarraca e Kryeministrisë.
E mira e të mirave ishte siç e bëjnë në shtetet perëndimore ose në Indi, ku digjet trupi dhe hirin t’ja dërgojnë diku, në një kontinent tjetër. Që mos ta kemi hirin e tij, kockat e tij në tokën tonë. Një djall si Rama nuk i duhet vendit tonë as mbi tokë e as nën tokë”, tha dje organizatori Arben Kola.

Pedagogu Ervin Goci nga sheshi ‘Skënderbej’ ku po mblidhen protestuesit për tubimin e 40-të radhazi, u ndal te akuzat e kryeministrit Edi Rama ndaj qytetarëve duke i etiketuar si iranianë.
Ai theksoi se mbi 70 për qind e protestuesve dalin në shesh për halle madhore, por kryeministri është i vendosur t’i sulmojë shqiptarët. Sa i takon 4 mln eurove të alokuara për koncertin e Kanye West, Goci e quajti koncerti i radhës.
“Ndoshta 60-70 % e atyre njerëzve kanë halle madhore, por kur dëgjon kryeministrin apo deputetët të tallen të denigrojnë, i thonë iraniane, agjentë, kupton që këta mirë që nuk kanë ndjeshmëri, por e kanë ndarë mendjen ta sulmojnë qytetarin shqiptar. Kjo protestë ka një mision shpëtimin e Shqipërisë. Rama është një pengesë që do e kalojmë, në kuptimin literal të fjalës kjo protestë të fshijë këtë klasë politike. Koncertin e kam quajtur koncensionin e radhës. Populli shqiptar është përballë një klike por ky popull e ka kuptuar që kjo klasë politike duhet fshirë dhe t’i hapet rruge një horizonti të ri, një Shqipërie të re”, tha mes të tjerash ai.
Lini një Përgjigje