
Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, ku u dogjën rreth 600 hektarë kullota dhe bimësi natyrore brenda Parkut Kombëtar të Dajtit.
I arrestuari është Bahri Hysa, 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë. Hetimet paraprake tregojnë se ai, gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë në vendin e quajtur “Fushë Stanë”.
Zjarri, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë lugina dhe zona të tilla si Gryka e Mullinit dhe Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të zonës së mbrojtur.
"Tiranë/Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i zjarrvënies së djeshme, në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa. Dyshohet se ndezi zjarr në një sipërfaqe kullotë, duke shkaktuar djegien e rreth 600 hektarëve me bimësi dhe sipërfaqe natyrore në Parkun Kombëtar të Dajtit, arrestohet 63-vjeçari.
Pas njoftimit të marrë se në vendin e quajtur “Mali me Gropa” kishte rënë zjarr, shërbimet përkatëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë.
Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale apo të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm", njofton policia.

Situata e zjarreve në vend mbetet shqetësuese. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 45 vatra zjarri në disa qarqe të Shqipërisë, nga të cilat 21 janë ende aktive, 16 janë nën monitorim, ndërsa 8 janë shuar.
Forcat operacionale të Emergjencave Civile, zjarrfikësit, ushtria dhe autoritetet vendore po punojnë në terren për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në disa zona ndërhyrjet janë bërë edhe nga ajri.
Njoftimi i ministrisë
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 45 vatra zjarri nga të cilat 21 janë ende aktive, 16 vatra nën monitorim dhe 8 janë shuar.
Mbeten aktive këto vatra:
– Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv Vatra e quajtur Gropa e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë Zjarri, ku janë rreth 50 forca nga strukturat operacionale.
– Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe: nga Masdeja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në Qafa e Tollës si dhe në vendin e quajtur Fush Kuqe ku në terren operuan rreth 46 forca nga strukturat operacoinale.
– Në Qafë Buall, Bashkia Bulqizë është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale dhe kanë ndërhyrë 2 helikopterë. Situata është më e qetë dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa
– Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 58 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së. Vatra ka midis fshatrave Borsh, Piqers. Sasaj, njësia administrative Lukovë, janë 4 vatra te shkëputura midis tyre por në lartësi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrje me njerëz dhe mjete. Era ndihmon përhapjen me shpejtësi të flakëve. Ndërhyrje nga ajri ka në orët e para të mëngjesit.
– Vatra e zjarrit që përfshiu fshatrat Kalas – Tatzat – Senicë – Vergo – Kopaçëz – Palavli, të bashkisë Dlvinë , aktualisht vazhdon aktiv zjarti fshatin Kopaçëz në mal, ku janë angazhuar rreth 70 forca nga të gjitha strukturat operacionale, një autoa,bulancë dhe helikopteri Cougar .
– Në zonën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin në teren të rreth 50 forcave bga strukturat operacionale.
– Në zonën mbrapa mali të Lisecit, Bashkia Gramsh, është izoluar në shumë pjesë vatra e zjarrit e aktivizuar që prej mbrëmjes së djeshme në terren të vështirë për ndërhyrne e forcave operacionale. Zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme, sepse pylli është shumë i lartë.
– Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80 forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.
– Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang, bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.
– Në vendin e quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, është aktivizuar një vatër zjarri, e cila për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku ndodhet është e veshur me barishte e shkurre.
– Në fshatin Kriçkovë, bashkia Pogradec, forcat operacionale janë në terren për vënien në kontroll të situatës.
– Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, është aktivizuar një vatër zjarri. Për shuarjen e zjarrit u aktivizuan në total rreth 60 forca operacionale, ndërsa sot pritet të angazhohen 75 forcave operacionale.
– Në fshatin Galinë, bashkia Berat zjarri është aktiv dhe në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Berat.
– Në zjarrin e rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, nga një zonë në lartësi të madhe, u angazhuan rreth 60 forca të strukturave operacionale, por zjarri është duke përparuar drejt vendit të quajtur Bregu i Pamjes, zonë e mbrojtur dhe pritet ndërhyrje nga ajri.
– Zjarri në fshatin Izvor i Vjetër dhe në fshatin Duraj, bashkia Memaliaj, vazhdon të jetë aktiv. Zjarri është izoluar dhe fikur ne fshatrat Levan, Bardhj, Xhafaj, Njësia Administrative Krahës.
– Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin me Gropa, bashkia Tiranë, në një sipërfaqe rreth 30 ha kullotë dhe pyll. Në operacion morën pjesë rreth 55 forca nga strukturat operacionale. Është bërë arrestimi i një personi të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme.
– Në fshatin Ibë, Bashkia Tiranë, zjarr ka rënë në terreni të vështirë dhe me rrugë të pakalueshme për mjetet zjarrfikëse. Në operacion janë angazhuar: 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, 6 mjete dhe 25 forca nga struktura operacionale.
– Në fshatin Shetel, Bashkia Shijak, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje janë dislokuar rreth 40 forca nga strukturat operacionale. Priet ndërhyrje nga ajri.
– Bashkia Malësi e Madhe është aktive vatra në vendin e quajtur “Rraze Veshtit”. Në operacion për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar 35 forca nga të gjitha strukturat operacionale . Terreni është mjaft i vështirë, nuk është e mundur te ndërhyhet me mjete zjarrfikëse.
Në monitorim mbeten vatrat në Fshatin Ulëz, bashkia Mat; në Livadhet e Peladhisë, bashkia Bulqizë; Në Majën e Paliskës, dhe në vendin e quajtur Sashic, bashkia Vlorë; Në fshatin Markat, Bashkia Konispol; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë; në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; Në fshatin Muzhakë, bashkia Skrapar; Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal; Në fshatin Paftal, bashkia Berat, në zonën e Shpiragut; në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan; në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës;
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:
– 65 automjete zjarrfikëse,
– 1350 forca operacionale.
– Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë,
– 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura,
– 2 helikopterë hungarezë, si dhe 2 helikopter Canadair të ofruar nga Mekanizimi i Mbrojtjes Civile Evropiane Kroat dhe Italian, që operuan në zonën e Vlorës.
Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave , sot priten reshje të dobëta në qarkun e Shkodrës dhe lokale të dobëta në shumicën e qarqe të vendit.
Për Zjarret në pyje: Sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në të gjitha qarqet. Pritet rrezik “I LARTË” nё zona tё lokalizuara qarku Berat (Veri), qarku Dibër (Jug), qarku Elbasan (Perëndim), qarku Fier (Lindje), qarku Lezhë (Veri), qarku Vlorë (Veri).

Policia ka njoftuar ditën e sotme se është arrestuar autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel në Shijak.
Uniformat blu njoftojnë se në pranga ka rënë një 58-vjeçar, i cili duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.
“Falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak.
Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e nenit 206/a të Kodit Penal, "Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor", njofton policia.

Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka ndezur zjarr në malin e Shashicës.
Sipas policsë, në pranga u vu Elmaz Fejzaj, 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave në një kullotë në Shashicë dhe më pas zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.
“Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. F., 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.
33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur. Zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Vlorës.

Vijon puna për shuarjen e flakëve në qarkun e Beratit.
Mësohet se forcat zjarrëfikëse kanë punuar gjithë natën në mënyrë që të shmangej rreziku për banorët dhe banesat.
Bëhet me dije se zjarret janë drejt shuarjes, por dëmi ka qenë i madh në bimësi dhe pemë frutore. Ende nuk mund të përllogaritet dëmi i shkaktuar.
Forcat e ushtrisë kanë qenë në terren që nga orët e para të mëngjesit, ndërsa 2 helikopterë të FA kanë ndërhyrë nga ajri.
Momentalisht problematike është vetëm pjesa perëndimore e malit të Shpiragut, ku ka ende vatra aktive.

Vijon të jetë problematike situata me zjarret në vendin tonë, ndërsa veriu dhe jugu janë përfshirë nga flakët.
Me qindra hektar pyje me pisha, shkurre dhe kullota janë djegur si pasojë e aktivizimit e një vatre zjarri të madhe e cila u aktivizua të shtunën e kaluar sipër fshatit Planit të Bardhë të bashkisë Klos.
Zjarri përfshiu me shpejtësi një masiv të madh të pishave dhe kullota të cilët shtrihen deri në Qafën e Buallit
Për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, zjarret përparuan edhe në krahun e Bulqizës duke u ofruar afër bizneseve dhe qytetit.
Ndërkohë në terren u angazhuan ekipet e zjarrfikëse të Dibrës, Klosit dhe Bulqizës, Tiranës si dhe forca të Ministrisë së Mbrojtjes, por e kanë patur mjaft të vështirë dhe u kërkua ndërhyrja nga ajri me helikopterë, të cilët ndihmuan vënien në kontroll të zjarreve.
Forcat e armatosura si dhe shërbimet zjarrfikëse të cilët kanë punuar gjatë gjithë natës kanë vijuar punën edhe mëngjesin e sotëm për fikjen e vatrave të zjarrit të cilët janë ende aktive edhe pse janë me përmasa të vogla.

Situata me zjarret në Borsh vijon të jetë alarmante.
Edhe pse mëngjesin e sotëm ka nisur ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë të Forcave Ajrore, në terren janë edhe forcat zjarrëfikëse, të cilat po luftojnë me flakët.
Situata duket shumë e rrezikshme, ndërsa mësohet se 40 persona janë evakuura për shkak se flakët kërcënojnë banesat dhe bizneset.
Sakaq, nga fotot shihet që zjarri po i afrohet vijës bregdetare ku rrezikohen banorët, turistët dhe banesat e binzeset për rreth.








Rruga kryesore Himarë-Sarandë pranë Borshit është e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët që kanë 'mbërthyer' fshatin turistik.
Jugu i vendit vijon të jetë nën 'pushtetin' e flakëve, ndërsa situata më kritike mbetet në Borsh, ku zjarri ka zbritur nëpër lagje dhe po shkon drejt vijës së plazhit.
Rruga kryesore Himarë-Sarandë pranë Borshit është e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët që kanë 'mbërthyer' fshatin turistik.
Si rrjedhojë, autoritetet janë detyruar të kryejnë evakuimin e shumë banorëve të cilët jetojnë në banesat që rrezikohen nga zjarri masiv, si dhe pushuesit e akomoduar në hotelet e Borshit.
Mbrëmjen e djeshme u raportua një vatër e fuqishme zjarri edhe në Parkun Kombëtar të Prespës në Pustec, qarku i Korçës. Flakët kanë përpirë sipërfaqe të mëdha me pyll, teksa forca të shumta nga institucione të ndryshme të emergjencave ndodhen në terren për t'i shuar. Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, tha se po hetohet nëse zjarri është i qëllimshëm, ndërsa shpjegoi se terreni është i vështirë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve në mënyrë të menjëhershme.
Situata është përkeqësuar edhe në Shashicë të Vlorës. Flakët rrezikojnë disa familje edhe në Sherishtë, ndërsa policia është në gatishmëri nëse do ketë nevojë për evakuim të banorëve. Flakët i janë afruar edhe landfillit të Sherishtës, ndërsa 4 familje janë evakuuar.
Vatër e madhe zjarri u shfaq pasditen e djeshme edhe në Qafën e Buallit në Bulqizë dhe rrethinat e saj, deri në Klos. Për shuarjen e tyre u aktivizua edhe helikopteri i ushtrisë nga ajri, teksa forca të shumta operonin në terren.
Problematike cilësohet situata edhe në Selenicë, ku vatrat e zjarrit të ndihumuara nga era po i drejtohen banesave. Autoritetet vendore kërkuan forca shtesë për aksionin, me qëllim shuarjen e flakëve.
Nga mali i Shpiragut, flakët zbritën mesditën e djeshme në fshatin Paftalit të Beratit, ku u evakuuan edhe banorët.
Ndërsa në fshatin Kopaçëz të Delvinës, situata u vu nën kontroll por dëmet janë kolosale. Tetë banesa janë djegur plotësisht, ndërsa banorët përpiqen të mbledhin copëzat që u kanë mbetur. Sakaq, banorët po përballen edhe me mungesën e ujit të pijshëm.
Dëme kolosale ka dhe në fshatrat e tjerë të Delvinës, si Vergo, Palavli dhe Senicë, ku deri më tani raportohen 30 shtëpi e biznese të djegura pjesërisht. Po kështu u dëmtua kisha 200-vjeçare e Shën Dhimitrit.
Lini një Përgjigje