
Deputeti socialist, Erion Braçe ka reaguar pas të shtënave me armë ndaj Top Channel. Braçe thotë se është një ndër sulmet më të rënda ndaj një media, ndërsa bën thirrje që autoritetet të zbardhin ngjarjen.
“Duke pasur të shënjuar në mendje humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias më të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe më i rëndë. Nuk është ngjarje banale apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo! Liria e Top Channel nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend. Ndaj, secili sot duhet të dijë se autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti. Ai është një ndër garantët e lirive tona.
Mbështetje maksimale e policisë së shtetit për të bërë detyrën deri në fund, zbulimin e vënien para përgjegjësisë së autorëve, tani, sa më parë! Ngushëllime pa fund për humbjen e jetës së punonjësit në detyrë, ngushëllime familjes së tij! Solidaritet me Top Channel, çdo gazetar, çdo punonjës të tij! Patjetër që jeta vjen e para, por liria është çështja jona! Kurajo!”-shkruan Braçe.
Sot rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi Pal Kola, 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.