Politike25 Shkurt 2023, 12:22

1 vit nga lufta në Ukrainë, Lulzim Basha: Tentativat për krijimin e fronteve të reja mund të shtyjnë Rusinë drejt Ballkanit

Shkruar nga Pamfleti

1 vit nga lufta në Ukrainë, Lulzim Basha: Tentativat për krijimin

Dinamika e krijuar nga konflikti në Ukrainë dhe vetëdijesimi mbi pasojat e një tensioni të vazhdueshëm mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s dhe BE-së, po i shtyn partnerët tanë drejt kërkimit të zgjidhjeve përfundimtare që do të ç’tensionojnë rajonin dhe do të hapin një perspektivë të qartë për të ardhmen...

Në 1 vjetorin e sulmit rus në Ukrainë, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se fronti mes Ukrainës dhe Rusisë është më shumë se një luftë mes dy ushtrive apo dy shteteve. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “SOT”, Basha tha se kjo luftë është fronti mes demokracive dhe autokracive. Sipas tij, Perëndimi është sot më i vetëdijshëm dhe i bashkuar se kurrë, ndaj dhe mbështetja për Ukrainën është e madhe. Gjithashtu ish-kreu i PD foli dhe për rrezikun rus në Ballkanin Perëndimor. Basha tha se të gjitha vendet janë të rrezikuara nëse nuk përmbyllet me sukses dhe meritë procesi i integrimit, i cili kërkon përkushtim në ndërtimin e demokracive funksionale dhe luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, që janë asetet në duart e autokratëve për të mbajtur peng proceset e konsolidimit të jetës institucionale, demokratike dhe ekonomike të vendeve tona. Për Bashën, situata e komplikuar mes Serbisë dhe Kosovës me ndikimin rus nga pas mund të zgjidhet nga plani franko-gjerman, me mbështetje të qartë amerikane, e cila sipas tij është një mundësi e mirë për zgjidhjen e ngërçit.

 -Zoti Basha, u shënua plot 1 vit nga agresioni rus në Ukrainë. Si e shikoni ju këtë luftë të pajustifikuar?

E sotmja është një ditë e dhimbshme por edhe shpresëndjellëse për të gjithë botën e lirë. Sot rikujtojmë jetët e humbura përgjatë këtij viti lufte të padrejtë, shkatërrimin dhe vdekjet dhe plagët që agresioni rus ka sjellë mbi qytetarët e Ukrainës të cilët vijojnë prej një viti të luftojnë dhe qëndrojnë kryelartë ndaj një diktatori si Putini. Prandaj 24 shkurti i sotëm na mbush me shpresën se përkundër çdo sfide dhe vështirësie, rezistenca e Ukrainës vijon dhe ajo çfarë në orët e para pas sulmit rus dukej si një kauzë e humbur, sot është mishërimi i përballjes epike që jehon ndër shekuj mes Davidit dhe Goliathit. Një vit pas agresionit rus, fronti mes Ukrainës dhe Rusisë është më shumë se një luftë mes dy ushtrive apo dy shteteve. Është fushëbeteja ku po përballen dy vizione të botës, dy botëkuptime për të drejtat dhe liritë, është fronti mes demokracive dhe autokracive. Për këtë Perëndimi është sot më i vetëdijshëm dhe i bashkuar se kurrë, ndaj dhe mbështetja për Ukrainën është e madhe, sepse vendet e lira nuk mund të bëjnë asnjë hap pas përballë padrejtësisë që kërkon ta zhysë botën në një kaos të pambarimtë.

- Shumë ekspertë, përfshirë dhe NATO parashikojnë tani një luftë të gjatë, a mundet Evropa të vazhdojë të ecë përpara me këtë kërcënim rus mjaft të fortë duke u përpjekur t’i japë fund konfliktit me sanksione?

Fatkeqësisht kohëzgjatja e konflikteve të tilla nuk mund të parashikohet, sidomos kur shteti agresor drejtohet nga një autokrat që është gati të përdorë kërcënimin bërthamor për të mbrojtur pozitat e tija. Por përfundimi i saj në favor të Ukrainës po. Sepse rreshtimi i SHBA dhe Europës në krah të Ukrainës, gatishmëria e tyre për të mbështetur me çdo formë dhe mënyrë mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë se Ukrainës, është një vijë e kuqe shumë e rëndësishme që ka favorizuar pozitat e Ukrainës, por edhe të NATO-s dhe BE-së, që sot janë të bashkuar, përkundër pritshmërive fillestare të Putinit. Ky vullnet i qartë, bashkë me sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihmën e vazhdueshme për Ukrainën, janë tregues të sakrificave dhe përpjekjeve që janë bërë dhe po bëhen për të mbrojtur rendin ndërkombëtar dhe parimet demokratike.

- Nga ana tjetër, si nga Rusia dhe nga Perëndimi japin alarmin se fronti i dytë pas Ukrainës do të jetë Ballkani? Kush janë vendet më të rrezikuara?

Potenciali destruktiv i Rusisë në rajon mbetet shqetësues, sidomos kur autokratët që sundojnë e aspirojnë në rajon përdorin politikat polarizuese dhe përçarëse për të mbajtur gjallë konfliktet e të shkuarës, në shërbim të interesave të pushtetit personal dhe në dëm të popujve të tyre, që kërkojnë të shohin përpara drejt Perëndimit dhe vlerave të tij. Të gjitha vendet janë të rrezikuara nëse nuk përmbyllet me sukses dhe meritë procesi i integrimit, i cili kërkon përkushtim në ndërtimin e demokracive funksionale dhe luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, që janë asetet në duart e autokratëve për të mbajtur peng proceset e konsolidimit të jetës institucionale, demokratike dhe ekonomike të vendeve tona. Në dritën e ndihmës bujare të partnerëve tanë, na takon ne si qytetarë të vendeve të këtij rajoni të bëjmë të gjitha përpjekjet që modeli fitues në vendimmarrjen politike të jetë ai që vjen nga Perëndimi, e jo nga Moska.

- A rrezikon Kosova? Dhe çfarë mendoni për planin franko-gjerman, do të jetë zgjidhja për të larguar Serbinë nga ndikimi rus?

Tentativat për krijimin e fronteve të reja nga ana e Rusisë për të “lehtësuar” trysninë e atij me Ukrainën, mund ta shtyjnë atë të ndërmarrë iniciativa në Ballkan përmes aktorëve që ka kultivuar kryesisht në hapësirën politike serbe, por jo vetëm. Gjithsesi dinamika e krijuar nga konflikti në Ukrainë dhe vetëdijesimi mbi pasojat e një tensioni të vazhdueshëm mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s dhe BE-së, po i shtyn partnerët tanë drejt kërkimit të zgjidhjeve përfundimtare që do të ç’tensionojnë rajonin dhe do të hapin një perspektivë të qartë për të ardhmen. Rëndësi të veçantë merr në këtë dinamikë të re edhe njohja formale e Kosovës nga Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro dhe lançimi i procesit të anëtarësimit të saj në NATO. Ndaj edhe plani franko-gjerman, me mbështetje të qartë amerikane, është një mundësi e mirë për zgjidhjen e ngërçit Serbi-Kosovë, që mund të kalojë vetëm nëpërmjet një shtegu, atij të njohjes së një realiteti objektiv, pavarësinë e Kosovës. Kjo do t’i hapte rrugën edhe Serbisë dhe qytetarëve të saj drejt BE-së, një shans që ata duhet të dinë të kapin, pavarësisht atavizmave nacionaliste me të cilat përpiqet të manipulojë një pjesë e klasës së saj politike.

- Mendoni se Evropa duke parë situatën do të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo nuk do të jetë falë reformave, por nga kërcënimi rus?

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka precipituar një vetëdijesim të BE dhe një qartësi strategjike të një niveli tjetër. Tani që fantazmat e të shkuarës treguan se mund të gjenerojnë makthe si revanshizmi putinist dhe se problemet e pazgjidhura mund të kthehen në kriza, apo akoma më keq në luftë në fare pak kohë, BE duhet të veprojë pa ngurrim për të bashkuar nën ombrellën e vlerave të saj shtetet dhe popujt që kanë zgjedhur qartësisht parimet dhe modelin demokratik që BE mishëron. Kjo nuk do të thotë të kalojmë autokratët ngelës të Ballkanit nga një klasë në tjetrën pa meritë, por përmes një procesi të rreptë monitorimi dhe sanksionimi, t’u jepet një shans vendeve të rajonit që të kenë më shumë drejtësi, rend dhe siguri, më shumë liri ekonomike, më shumë siguri juridike. Pra do të thotë të vazhdohet intensivisht me reformat, por të monitorohen dhe “ndëshkohen” ata që janë shkaku i prapambetjes së vendeve të tyre. /Gazeta "Sot"

basha lufta ne ukraine rusia