Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka bërë me dije se fokur kryesor diskutimi në takimin me ambasadoren Yuri Kim kanë qenë zgjedhjet e 14 majit. Alibeaj tha se po ashtu kanë folur për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Ai shtoi se e ka garantuar ambasadoren se do bëjë gjithçka për të përfaqësuar denjësisht PD në këto zgjedhje.
“Gjatë një takimi të frytshëm dhe miqësor me ambasadoren e SHBA në Tiranë prekem temat që lidhen me zhvillimet më të fundit në vend për t’u ndalur më gjatë tek ato të zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.
Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetësime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale.
Në fund të bisedës e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike.”-shkruan Alibeaj në Twitter.
Kujtojmë se dy grupimet e Partisë Demokratike, ajo e Enkelejd Alibeajt dhe Rithemelimi i Sali Berishës kanë bërë kërkesë në KQZ për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 14 majit, kjo pasi të dyja palët pretendojnë se mbajnë vulën e partisë. Do jetë KQZ e cila do të vendosë nesër për fatin e Partisë Demokratike, nëse do të regjistrohet apo dhe cili prej kampeve do të regjistrohet.
Përplasja në PD u thellua edhe më tepër, pas vendimit të gjykatës së Apelit për të zhbërë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, për vulën e Partisë Demokratike, e cila i kaloi Enkelejd Alibeajt, ndërsa Sali Berisha nga ana e tij s'e pranon vendimin e gjykatës.
Nga ana tjetër partitë politike kanë filluar punën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj dhe në fund të muajit pritet edhe zyrtarizmi i kandidatëve.
Lini një Përgjigje