
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vijuar me sulmet dhe akuzat ndaj qeverisë.
Gjatë një takimi me komitetin drejtues të partisë që drejton, Meta tha se mbrëmja e 14 majit do të sjellë ndryshim në jetën politike të vendit si dhe atë sociale e ekonomike. Më tej ai u shpreh se përballë kandidatëve të opozitës do të jetë korrupsioni.
“Kemi një pushtet të korruptuar që e propagandon veten si të fuqishëm por është më i kalbur se kurrë. Gjysmën e qeverisë e ka në burg gjysmës tjetër i bëjnë kontrolle të grave të partnereve të gjithçkaje”, tha Meta.
Meta tha se PS ka treguar se nuk di të qeverisë, duke bërë që vendi të përkeqësohet në raportet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Ata kanë treguar se jo vetëm nuk dinë sesi të qeverisin por që as nuk duan të mësojnë sesi të qeverisin. Të gjithë raportet ndërkombëtare për Shqipërinë janë skandaloze. Shikoni shtetin e Kosovës, 11 vende është përmirësuar në rang ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit. Pse? Sepse kanë shtet të së drejtës, prandaj i kanë edhe rrogat më të larta se këtu. Ndërkohë këtu çmimi i metrit katrorë për banesat është katërfishuar. Por nuk janë rritur rrogat dhe pensionet, kjo është aryseja përse shumë qytetarë largohen nga vendi në mënyrë masive”, u shpreh kreu i PL-së.