Kryeministri shqiptar për gazetën greke Kathimerini ka folur për lidhjet dypalëshe Shqipëri-Greqi si dhe për “çështjen e nxehtë” të zonave detare, të cilat do të çohen në Hagë.
Në intervistën e tij ai nuk ka anashkalaur edhe integrimin e Shqipërisë dhe kritikat për Bashkimin Europian.
Për sa i përket perspektivës së Shqipërisë në BE, Rama thotë se është një “proces i vështirë” duke ia lënë fajet BE.
“Procesi i anëtarësimit është shumë më i komplikuar dhe më kërkues se sa ishte për vendet e tjera në të kaluarën. Le të themi se është çështje subjektiviteti politik, ndryshim kriteresh. Gjithçka është shumë më e rreptë tani dhe disa vende nuk do të ishin anëtarësuar nëse do të aplikonin sot”, thotë Rama, i cili së fundmi sugjeroi se Greqia kishte “mashtruar” për t'u bërë anëtare e bllokut.
Mes dy fqinjëve ka edhe çështje të pazgjidhura, kryesisht ajo e zonave detare dhe minoritetit grek në Shqipëri.
Rama thotë se të dyja palët “kanë rënë dakord të mos bien dakord dhe çështja do të zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ne kemi një marrëdhënie fantastike me Greqinë dhe personalisht me Kyriakos Mitsotakis, i cili di të flasë dhe di të dëgjojë”.
Në intervistën që mban titullin “ne jemi bijtë e të njëjtit Zot” duke ju referuar lidhjeve mes dy popujve tanë, kryeministri flet për rëndësinë që ka lidershipi në marrëdhëniet që vendosen me fqinjët.
“Ka politikanë që po i shërbejnë axhendave të tyre dhe kështu lidhjet dypalëshe nuk përcaktohen nga marrëdhëniet njerëzore por nga lidershipet, dhe veçanërisht kur flasim për vende fqinje. Njerëzit thonë se ne prodhojmë më shumë histori në Ballkan se sa jemi në gjendje të konsumojmë. Unë jam optimist për Ballkanin, megjithatë, veçanërisht nëse gjejmë një mënyrë për të punuar së bashku dhe aq më tepër për të hyrë nën ombrellën e BE-së. Ne kemi problemet tona, natyrisht, mosmarrëveshjet tona dhe truket tona, por të tillë jemi, përndryshe, do të ishim Beneluksi. Sigurisht, ne do të luftojmë dhe do të grindemi, por kur godet fatkeqësia, është fqinji juaj ai që do të vijë për të ndihmuar i pari. Simpatia është gjithmonë e para dhe njerëzit e dinë këtë”.
Artikulli i Kathimerini ndalet shumë dhe tek profili i Ramës si artist, sportist e tani politikan, por që në hyrje të shkrimit ai përshkohet për shkak të stilit të veshjes më shumë si një yll rroku se sa një Kryeministër e që gjithë sjellja e tij lexohet si “jokonvencionale”.
Lini një Përgjigje