
Për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre, u shpreh Sali Berisha, kreu i PD-së, në një fjalim të mbajtur në kujtim të figurës së Azem Hajdarit.
“Si sot, 35 vite më parë, me 8 dhjetor të vitit 1990, studentë të Universitetit të Tiranës dhe shkollave të tjera të larta, të udhëhequr nga tribuni i lirisë, Azem Hajdarin, nisën protestat, revolucionin demokratik, i cili si një uragan i vërtetë në tre ditë ndau epokat dhe vendosi në vendin më monist të planetit, pluralizmin politik.
Ndaj sot mbarë kombi shqiptar nderon 8 Dhjetorin si datën më të rëndësishme gjer atëherë në historinë e lirisë së tij pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre”, tha Berisha.
Sipas tij, me 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë, engjëjt e demokracisë, siç do i thërrisnin ata njerëzit më të shtypur të Europës, të udhëhequr nga princi i tyre legjendar, Azem Hajdari, u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër të kohës.
“Studentët e dhjetorit 1990 ishin misionarë të paepur, të pamposhtur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre, të cilët që në protestën e parë shpallën si moto të revolucionit të tyre, liri dhe demokraci, Shqipëria si Europa.
Azem Hajdari, tribuni i lirisë dhe studentët e dhjetorit ishin heronjtë e vërtetë.
Ishin heronj mbi heronjtë sepse ata dolën në rrugët e Tiranës të vetëm, të braktisur nga shqiptarët, të braktisur nga Europa, të braktisur në tërësi.
Në atë dhjetor, të shumtë ishin ata që në Europë, pas dështimit të kryengritjes paqësore të 2 korrikut, mendonin se Shqipëria duhej dhe e meritonte të mbetej Kuba e Adriatikut në kontinent.
Por studentët në këtë vetmi, guxuan, u përballën me regjimin komunist më represiv të kohës, regjimin që edhe ato ditë vriste dhe ekzekutonte në kufi çdo javë bashkëmoshatarët e tyre, madje zvarriste në rrugët dhe sheshet e qyteteve Sarandë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, kufomat e të rinjve, të bëra shoshë nga breshëritë e rojeve të kufijve, vetëm e vetëm që askush të mos guxonte të ngrihej kundër atij regjimi.
Studentët e dhjetorit ishin heronj dhe shkuar heronjtë sepse në betejën e pabarabartë me regjimin që kishte veendosur para tyre tanket, mitrolozët, ushtri dhe hordhi, ata me armë të vetme guximin e tyre, qëndruan të pamposhtur dhe fituan.
Revolucioni demokratik që nisi me 8 dhjetor me shpejtësi do të shndërrohej në lëvizjen më të fuqishme paqësore në historinë e Shqipërisë dhe në një hark kohor prej 72 orësh, me mbështetjen e fuqishme tanimë të intelektualëve dhe të qytetarëve të Tiranës, do ngadhënjente mbi regjimin komunist dhe do t’i impononte atij pranimin e pluralizmit politik në Shqipëri dhe do themelonte partinë e parë opozitare në historinë e pasluftës, Partinë Demokratike të Shqipërisë”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje