
Agron Shehaj, kryetar i partisë Mundësia që në 11 maj fitoi 2 mandate deputetësh në Qarkun e Tiranës, ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit për Kryebashkiak të Tiranës.
Gjithsesi Shehaj tha se vendimi do të merrej nga partia e tij në kohën dhe momentin e duhur, ndërsa shtoi se projekti politik që ka nisur ka qëllime afatgjata.
“Betejat që kam bërë në Parlament kanë patur qëllim vetëm interesin publik. Kufiri i kornizës për të cilin kam vepruar ka qenë interesi publik. Kjo mbetet vija e kuqe për mua. Edhe kur ka qenë kundër interesit tim e kam bërë betejën për interesin publik. Kam bërë beteja me ministra dhe kryeministrin. Janë interpretuar si beteja personale, por nuk kanë qenë të tilla, kanë qenë në favor dhe interes të publikut. Brenda kësaj kornize do të veproj. E kam të qartë”, tha Shehaj në emisionin ‘Të Paekspozuarit’.
Gjatë emisionit ai u pyet nëse është i gatshëm të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, ndërsa u shpreh “sa i përket betejës për Tiranën, është herët, nuk e kemi diskutuar ende këtë, është vendim që merret brenda strukturave. Kjo duhet diskutuar brenda strukturave, do të ishte mungesë respekti nëse unë jam një mendim që pastaj interpretohet si vendim. Por, edhe kjo, pavarësisht vendimit, është një vendim i rëndësishëm, por në i qëndrojmë vizionit tonë për një projekt politik afatgjatë. Opozita në Parlament që do të bëjmë si dy deputetë”.
“Ne si forcë politike kemi patur rezultat të jashtëzakonshëm, sidomos në Tiranë, në qendër të Tiranës, degët 5, 7 dhe 10, rezultat thuajse 8%. Është inkurajues dhe na bën të mendojmë se vizioni ynë përqafohet nga një pjesë e mirë e shoqërisë, edhe nga pjesa më e zhvilluar. Duhet të vazhdojmë të punojmë në të njëjtën mënyrë, të vetëdijshëm që na pret një rrugëtim i gjatë”, tha ai.
Lini një Përgjigje