TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Maj 2025, 21:10

Açka analizon rezultatin e 11 majit: Ja pse humbi PD, duhet reflektim

Shkruar nga Pamfleti

Açka analizon rezultatin e 11 majit: Ja pse humbi PD, duhet reflektim

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, tha se duhet një analizë e thellë lidhur me rezultatin e 11 majit, ndërsa u shpreh se duhet që të mbahet përgjegjësi.

Açka u shpreh se fakti që kemi ardhjen e liderëve europianë në Tiranë e çertifikon rezultatin e zgjedhjeve, pra fitoren e 11 majit.

“Duhet një reflektim nga ana e PD-së, nuk mund të priten vetëm provat, por duhet të ketë mbajtje përgjegjësie”, tha Açka.

Ajo u shpreh se kjo ishte e parë në 34 vite demokraci, që opozita e shiti pushtetin e saj të ardhshëm.

“Ia lanë në dorë vetëm rotacionit, nuk u punua për ndryshimin dhe mendoj se ky është shkaku kryesor që PD humbi. Nuk u përpoq, ose zgjodhi të jetë në qendër të opozitës, të marrë pjesën e luanit duke qenë në opozitë”, tha Açka.

Deputetja e PD tha se nuk e kishte menduar që humbja të ishte deri në këtë pikë. “Ka pasur një refuzim nga ana e shqiptarëve jo vetëm ndaj PD-së, por edhe ndaj opozitës në tërësi. Nuk mund të justifikohet ky lloj rezultati, megjithëse është abuzuar shumë me votën, veçanërisht në raport me votën e diasporës”, tha Açka.

Sipas saj, PD duhet të bëjë një dosje të madhe, që duhet të nisë me atë se ku kanë qenë kryebashkiakët në 3 muajt e fundit.

"E gjithë administrata, nga zyrtarët më të ulët deri te ato më të lartë, përfshi edhe kryebashkiakët, ishin jo në fushatë, por në takime jashtë vendit me diasporën, ndaj edhe ndodhi kjo që ndodhi me votat e diasporës", tha Açka.

Ajo ka folur për marrëdhënien e saj të dikurshme me Gazment Bardhin, për të cilin dikur kishte shprehur publikisht respekt dhe besim, madje duke e cilësuar heroin e saj gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2021.

Në studion e A2cnn, Açka kujtoi një nga momentet më dramatike të karrierës së saj politike, natën e 21 prillit 2021, kur ndodhi vrasja në Elbasan gjatë fushatës zgjedhore. Ajo tha se e përjetoi thellë emocionalisht atë mbrëmje dhe kishte vendosur të mos largohej.

“Thosha me vete: edhe sikur të kthehen me armë në dorë, le të më marrin mua. E ndjeja si përgjegjësi time. Kam qenë idealiste, hyra në politikë me qëllime të pastra, por u përballa me mjeshtra të fasadave,” u shpreh Açka.

Ajo e pranoi se në atë kohë e kishte besuar Bardhin si një përfaqësues të frymës reformiste brenda PD-së, përkrah me Enkelejd Alibeajn, Jorida Tabakun dhe Grida Dumën. Por sipas saj, më vonë zbuloi se Bardhi kishte qenë pjesë e një loje politike të fshehtë dhe jo i sinqertë në qëllimet e tij.

“Unë kam besuar në fasadë. Kam besuar se Bardhi do të qëndronte deri në zgjedhjet vendore të vitit 2023. Por e kuptova shumë shpejt që ai ishte brenda lojës. Ata dinë ta shesin bukur fasadën,” – shtoi Açka.

Deputetja kritikoi ashpër klimën e brendshme në PD, për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga Sali Berisha . Ajo theksoi se partia nuk arriti të krijojë një frymë të re dhe unifikuese për demokratët.

“Unë nuk kam hyrë në politikë për të bërë betejë kundër Berishës, por për të ndërtuar diçka të re. PD-ja nuk ishte më ajo që besoja,” – u shpreh ajo.

Açka sqaroi gjithashtu se ajo ka vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën, dhe se nuk ishte pjesë e asnjë projekti të fshehtë apo plan politik.

Unë nuk isha pjesë e projektit të tyre. Kam qenë për të zbatuar Kushtetutën, siç kam dhënë betimin. Kur më ndëshkuan, nuk e kam falur dhe as Zotit nuk i fal që të më ndëshkojë pa faj,” – tha me ton të prerë.

Ajo përmendi edhe incidentin me Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin ku theksoi se mënyra si u sollën me të ishte fyese dhe e padrejtë.

Açka hodhi poshtë akuzat se bashkëpunon me socialistët, duke theksuar se ka vepruar me parim dhe ndershmëri.

Lini një Përgjigje