Edi Rama tamam si ai i mbyturi po mundohet të mbahet tek një fije kashte...
Ka muaj tashmë që Edi Rama vërtitet si miu i zënë në çark. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij po bien një nga një, me gjithë porositë dhe presionin që i bën prokurorëve të SPAK, llumi ka dalë në sipërfaqe e ka marrë rrugët.
Por, nëse për koncensionet në shëndetësi doli e tha se përgjegjësitë janë personale, se ai është Kryeministër dhe nuk mban përgjegjësi për "ca nëpunës që hanë kumbulla pas kurrizit të tij", kjo çështja e inceneratorëve i doli më e ndërlikuar se ç'e priste. Presioni mbi prokurorët nuk pi më ujë sepse sa më shumë po hapen petët e lakrorit, aq më afër i shkon burgut Edi Rama dhe njerëzit e tij shumë të afërt.
Megjithëse dosja e inceneratorëve u rrotullua nëpër sirtarët e SPAK, si karramelja në gojë, kupa u mbush dhe lëngu i pistë që po del prej saj duket se do t'i marrë përpara të gjithë.
Për këtë arsye Edi Rama ka muaj që është i shqetësuar. Ai nuk ka bërë asnjë prej detyrave e tij si kryeministër, në kërkim të zgjidhjes. Ai dhe njerëzit e afërt të tij po kërkojnë rrugëdalje. I pari që u mundua të tërhiqte lart ishte Arbjan Mazniku, të cilin e futi në qeveri. I dyti, Erion Veliajt, i është premtuar se askush nuk do ta prekë.
Por Drejtori i Përgjithshëm i bashkisë së Tiranës, i arrestuar pak ditë më parë, Taulant Tushe ka kërcënuar se do të flasë. Ai ka çuar fjalë nga qelia ku po e mbajnë se, nuk do t'i qëndrojë presionit e bashkë me të, pas tij, do të shkojnë dhe të tjerët.
Sirenat e alarmit kanë ditë që bien në selinë e Kryeministrisë dhe sot duket se u gjet zgjidhja. Fija e kashtës ku këta të mbytur duan të varen është Mirel Mërtiri. Njeriu kyç i inceneratorëve është paguar me disa milionë euro që të dalë, gjoja në intervista televizive ekskluzive dhe të dëshmojë se pas skandalit nuk qëndron as Rama, as Erioni e as të tjerët, por ish Ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që Mërtiri mundohet t'ia hedhë fajin ish-ministrit, i cili duke parë lakun që i lidhën për ta ngarkuar me faj, iku nga Shqipëria me premtimin se do të kthehej bashkë me provat për pafajësinë e tij.
Në mungesë të Ahmetajt, Mërtiri ka hedhur me miliona lekë sponsorizime në mediat pranë pushtetit duke paguar për të hedhur baltë mbi Ahmetajn. Ndërsa tani ai ka organizuar fushatën e fundit, ku gjoja si i arratisur, do të tregojë bashkëpunëtorët publikisht.
Edi Rama tamam si ai i mbyturi po mundohet të mbahet tek një fije kashte. Dhe me siguri që disa ditë do ta mbajë ngrehur vëmendjen e publikut.
Por ne kemi një pyetje: kur tymnaja të shpërndahet dhe Mërtiri të mos bëjë më lajm, dokumentet do të ngelen dhe firmat, e zeza mbi të bardhë, në to. Erioni ka firmosur dhe ky është fakt; Mazniku ka ngrënë me paratë e hajdutëve, edhe ky është fakt; Babloku ka firmosur VKM për milionat që janë derdhur lumë për inceneratorë inekzistentë.
Këto si do t'i mbulojë Edi Rama me të vetët? A munden intervistat e Mirel Mërtirit t'i mbulojnë këto të vërteta?/Pamfleti
Lini një Përgjigje