
Nga odat e Kosovës ku nuk e thërret askush “Bac”, tek tavolinat VIP me monarkë e oligarkë: pse Edi Rama i jep Pacollit status të veçantë dhe një post të mundshëm diplomatik për interesa financiare e pushteti...
Nga zhurmat që u përhapën papritur në korridoret e Kryeministrisë, përkatësisht në punishten e propagandës së Edi Ramës, njëra prej tyre nxori emrin e Behxhet Pacollit. Apo “Baca”, siç e thërret Edi Rama dhe pas tij, me servilizëm, e quan e gjithë shpura e pushtetit të tij të pakufizuar. Në Kosovë, nga ku vjen miliarderi i njohur, askush nuk e thërret kështu. Së pari sepse në Kosovë nuk i thërrasin “Baca”, por “Baci”. Dhe ky ndajshtim nuk u drejtohet njerëzve të zakonshëm apo të pasur, por atyre që kanë atributet e një lideri të pashpallur, një udhëheqës moral e shpirtëror që njihet si figurë e padiskutueshme.
Në Kosovë, titulli “Baci” i takon Adem Jasharit, komandantit të martirizuar të UÇK-së, i cili konsiderohet Bac për të gjithë shqiptarët. Po ashtu, Adem Demaçi, si figurë e hershme e rezistencës, mori këtë atribut nga komuniteti i rezistencës. Ndërsa Ibrahim Rugova, megjithëse lider me vizion e popullaritet të madh, nuk u quajt kurrë “Bac”, pasi ai nuk ishte udhëheqës odash, por një intelektual i ftohtë e institucional. Në kontrast, Behxhet Pacollin askush nuk e quan Bac, përveç ndonjë fshatari të tij nga Marevci apo ndonjë punëtori të kompanisë së tij. Në fakt, ai nuk është popullor në Kosovë: edhe pse ka miliarda, partia e tij në zgjedhjet e fundit nuk mori më shumë se 11 mijë vota.
Ndërkohë, Edi Rama, ndonëse nuk shquhet për respekt ndaj traditave, nuk është budalla që e thërret prej vitesh “Bac” Behxhetin. Kjo është një formë për ta kompensuar frustrimin e miliarderit, duke i dhënë një lloj veneracioni të munguar në vendin e tij. Miqësia Rama–Pacolli ka mbi një dekadë që vazhdon e konsolidohet. Dhe kur bëhet fjalë për figura të këtij kalibri, nuk kemi të bëjmë me marrëdhënie miqësore, por me interesa të ndërsjella: partneritet dhe influencë.
Pacollin në Kosovë politikanët e kanë përdorur si bankomat, por nuk është naiv. Ai është një sipërmarrës i sprovuar, me qendër biznesesh në Lugano të Zvicrës. Atje ka fituar respekt por edhe kundërshtarë: Carla Del Ponte, ish-kryeprokurore e Zvicrës, ka tentuar ta hetojë dhe e ka akuzuar për abuzime. Megjithatë, Zvicra i ka ofruar një status të privilegjuar, ku ruan kapitalet dhe kryen transaksione marramendëse. Ndërtimet e tij kryesore nuk janë në Zvicër, por në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Afrikë. Pikërisht kur ishte ministër i Jashtëm i Kosovës, Pacolli shfrytëzoi lobimin për njohjet e shtetit të ri edhe për të hapur biznese të mëdha në ato zona.
Pacolli nuk ka pasur marrëdhënie të mira me amerikanët, ata e rrëzuan nga posti i presidentit të Kosovës, brenda 24 orëve. Por sot ai ka lidhje në qarqe të MAGA në SHBA.
Vitin e shkuar ishte në festën e fitores së Donald Trump në Mar-a-Lago, pjesëmarrje që zakonisht blihet me shifra të kripura. Kjo e tregon se Pacolli kërkon më shumë të jetë prezent sesa realisht i pranuar si figurë politike.
Pyetja që ngrihet është: pse i duhet Edi Ramës Pacolli si ministër i Jashtëm dhe pse Pacollit, tashmë në moshë të thyer, i duhet një post i tillë?
Përgjigjen e jep një foto simbolike: Rama i ulur në mes të Presidentit të Emirateve Mohamed Bin Zayed dhe diktatorit bjellorus Aleksandër Lukashenko, në një tavolinë VIP në Baku. Kjo pamje është dëshmi e lobimit të gjatë të Pacollit në zona ku ai ka influencë. Vaksinat e Covid-it, marrëdhëniet me botën arabe dhe fondet e tërmetit, të gjitha këto kanë fijet pacolliane, të mbështetura edhe nga ndikimi i Erdogan-it. Po ashtu, ai ka hapur dyer për Ramën në Bavari, zemra e industrisë europiane, e lidhur ngushtë me kapitalet zvicerane.
Roli i Pacollit lidhet edhe me sjelljen e kapitaleve nga zona të influencës orientale, ku qarkullojnë shuma të mëdha parash që kërkojnë tregje të sigurta për investime. Fondi i përmendur nga Rama, i cili do të përdoret për investime të mëdha, nuk vjen nga Perëndimi, por nga zona ku Pacolli ka ndikim. Për ta institucionalizuar këtë rol, Rama mund të krijojë postin e Ministrit të Jashtëm me gradë zv.kryeministri dhe njëkohësisht postin e Ministrit për Europën, që do të merret me negociatat e BE-së. Kështu, Pacolli do të bëhet “ministër për jo-Europën”: një pozicion që i jep imunitet diplomatik, liri lëvizjeje dhe mundësi për të bërë para në Afrikë e Azi, duke përdorur statusin e zyrtarit të lartë shqiptar./Pamfleti
Lini një Përgjigje