TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Nëntor 2025, 19:58

A do të rrëzohet Diella? Kushtetuesja kalon për shqyrtim kërkesën e PD

Shkruar nga Pamfleti

A do të rrëzohet Diella? Kushtetuesja kalon për shqyrtim

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja e dekretimit të ministres “Diella” nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të shqyrtohet në seancë plenare.

Partia Demokratike kërkoi shfuqizimin e nenit 2 të Dekretit “Për emërimin e Kryeministrit”, nr.331, datë 12.09.2025, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, PD kërkoi shfuqizimin e nenit 1, pika 1, fjalia e dytë, të Dekretit “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, nr.333, datë 15.09.2025, gjithashtu si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare bazuar mbi dokumentet e dorëzuara.

Sipas padisë së grupit parlamentar të PD, dekreti i Presidentit Bajram Begaj për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella” është akt antikushtetues, pasi Kushtetuta nuk parashikon një institucion të tillë, ndërsa vendimmarrja për ngritjen e një strukture të re të rangut ministror i takon vetëm Kuvendit.

Opozita argumenton se, pavarësisht vlerësimit për inovacionin, “Diella” nuk mund të marrë formë juridike përmes një dekreti presidencial, pasi kjo tejkalon kompetencat kushtetuese të Presidentit dhe cenon rendin institucional të përcaktuar qartë nga ligji themeltar.

Partia Demokratike kërkon që Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë për të garantuar respektimin e parimeve kushtetuese, duke ndalur sipas saj tendencën e mazhorancës për përqendrim pushteti dhe minimin e funksionimit normal të institucioneve.

1 Komente

  1. O
    O pika qe s'u bie

    Diella me Zeqinene do na coje perpara.

    Lini një Përgjigje