
“Pamfleti” ka zhvilluar një cikël sondazhesh dhe vihet re se qytetarët kërkojnë ndryshim në shumicën e bashkive, pavarësisht ngjyrave politike...
Shkodra do të jetë një prej bashkive ku do të zhvillohet një betejë mjaft e ashpër më 14 maj. Historikisht kjo bashki ka qenë e djathtë dhe PS sado është përpjekur, nuk ja ka dalë dot. Por këtë vit sinjalet janë se situata mund të ndryshojë. PS kandidon këtë vit Benet Becin, një figurë e re, e pa akuzuar dhe me vizion perëndimor. Figura e cila duket se simpatizohet dhe në publik. Të paktën kështu thotë një sondazh i hapur për 24 orë nga “Pamfleti”.
Ne ju drejtuam qytetarëve me këtë pyetje: Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, kë do të votonit në Bashkinë e Shkodrës? Në votim kanë marrë pjesë 4351 persona. Kandidati socialist Benet Beci ka marrë 59 për qind të votave; kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Bardh Spahia ka marrë 37 për qind të votave. Ndërsa 4 për qind janë abstenim.
Pra duket se PS është më e avantazhuar. Sigurisht një sondazh i tillë nuk është tregues 100 për qind i saktë, pasi është një sondazh online ku çdo vizitor ka të drejtë të votojë një herë. Por ai tregon deri diku trendin dhe kë kandidat simpatizojnë qytetarët. Në këtë rast Benet Beci gëzon mjaft simpati.
“Pamfleti” ka zhvilluar një cikël sondazhesh dhe vihet re se qytetarët kërkojnë ndryshim në shumicën e bashkive, pavarësisht ngjyrave politike. Sondazhi jonë në Tiranë nxjerr fitues Belind Këlliçin, një figurë e re në politikë. Po ashtu edhe në Durrës më i avatazhuar është kandidati i opozitës, Igli Cara. E njëjta gjë dhe në Elbasan, ku sondazhet paralajmërojnë fitore të Luçiano Boçit. Në Berat vota kanë shkuar për kryetarin aktual Ervin Demo, i cili edhe pse e ka përmbushur një mandat, është sërish një figurë e re në politikë.
Kështu duket se ka ndodhur dhe me Benet Becin. Në Shkodër ai njihet nga të gjithë, por nuk ka pasur profil politik. Ai shërbeu për shumë vite si drejtor i KESH dhe më pas kandidoi për deputet. Pra është një figurë tërësish e re dhe si duket Shkodra për herë të parë po mendon përtej partisë. Këtë herë po sheh individin dhe jo ngjyrat e flamujve të partive. /Pamfleti
Lini një Përgjigje