
Partia Demokratike, përmes zëdhënëses anti-korrupsion, ka denoncuar një ndërtim pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’ në Tiranë, për të cilin thotë se po kryhet pa leje nga autoritetet.
Zëdhënësja e Anti-korrupsionit në PD, Genta Vangjeli, thotë se qytetarët e kanë njoftuar policinë, por pronari i biznesit u ka dhënë ryshfet autoriteteve për të mbyllur sytë para shkeljes së ligjit.

“Partia Demokratike ka marrë një tjetër denoncim nga qytetarë për ndërtim pa leje në Tiranë. Sipas informacioneve të tyre, objekti ndodhet në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’. Ata shprehen se kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por nuk ka pasur asnjë reagim.

E njëjta situatë përsëritet edhe me strukturat kryesore inspektuese në nivel kombëtar për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilave u është bërë me dije shkelja, por pa asnjë ndërhyrje nga ana e tyre. Sipas qytetarëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet”, tha Genta Vangjeli.

Denoncimi vjen në një kohë kur Kryeministri Edi Rama prej disa javësh ka shpallur si prioritet lirimin e hapësirave publike.


Lini një Përgjigje