Hetimi për sekretaren e Shëndetësisë u mbyll për 40 ditë, ndërsa për Alda Klosin u zgjat 3 muaj mbi afatin 6 mujor, kur lekët e fshehura te tubi i sobës nuk janë komplot ushtarak për grusht shteti që kërkon hetime speciale, por urojmë që çështja të mos përcillet në SPAK për gjoja mungesë kompetence e të akuzohet Arben Ahmetaj...
Gjatë muajit shkurt 2023 pas arrestimit të Alda Klosit, mediat pranë Bablokut informuan e komentuan intensivisht, se 500 mijë Eurot e gjetura në sirtarët dhe te tubi i sobës në shtëpinë pastrueses Rozeta Dobi, ishin të ministrit Arben Ahmetaj.
Deri tani, këtë tumnajë të shpërndarë nga “batonët” e Bablokut, Alda Klosi dhe pastruesja e saj Rozeta Dobi e kanë mohuar dhe nuk e kanë deklaruar në prokurori, prandaj nuk ngjiti dhe u shua menjëherë, por çuditërisht prokuroria vonoi hetimet duke tejkaluar afatin ligjor 6 muaj.
Sipas zgjatjes së hetimit me 3 muaj të tjerë, dosja e Alda Klosit duhet të çohet për gjykim me 2 tetor 2023, por informacione konfidenciale, kanë thënë për “Pamfleti”, se në këto 3 muaj, ndaj Alda Klosit do zbatohet skema e njohur e qelive: “Trysni-Joshje-Lehtësim”, për të transferuar autorësinë e përgjegjësinë penale te një shënjestër tjetër e lartë.
Shënjestra e piketuar qysh në fillim, është ish ministri Arben Ahmetaj, të cilit, Babloku i qeverisë i është “qepur me bukë në trastë” me mediat dhe shërbëtorët e tij brenda drejtësisë; prandaj jo rastësisht, hetimi ndaj tij ka nisur 10 ditë pas kërcënimit që i bëri Edi Rama: - “Po u bëra unë prokuror, do përfundosh keq”.
Prokuroria shpreson, se gjatë 3 muajve mund të bind e të bëjë një “Deal” (Marrëveshje) me Alda Klosin, që kjo në maskën e të penduarës, ta kalojë barrën e provës penale të Arben Ahmetaj, duke thënë se këto 500 mijë Euro, ai i ka marrë ryshfet nga landfillet.
E për shkak të Kodit të Procedurës Penale, shpallet mos-kompetenca e trajtimit të çështjes nga prokuroria e rrethit, dhe i kalon për hetim te SPAK, ku mund t’i bashkëngjitet dosjes “Ahmetaj”.
Ndryshe, prokuroria nuk mund të justifikojë dështimin dhe zgjatjen e hetimit, mbasi lekët e fshehura te tubi i sobës, nuk janë komplot ushtarak për grusht shteti që kërkon hetime speciale, ndërkohë që hetimi për sekretaren e shëndetësisë zgjati 40 ditë e u çua në gjykatë./Pamfleti
Lini një Përgjigje