Politike 4 Dhjetor 2023, 08:03

Afera ‘Partizani’/ Sot Berisha duhet të paraqitet në SPAK, nëse refuzon rrezikon arrest shtëpie

Shkruar nga Pamfleti
Afera ‘Partizani’/ Sot Berisha duhet të paraqitet në SPAK,
Sali Berisha

Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK në zbatim të masës ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’,  dhënë ndaj tij nga GJKKO më 20 tetor për aferën ‘Partizani’.

Në orën 10:00, ish-kryeministri duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore të SPAK, Adelajda Metaj, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Por, Berisha refuzon që të përballet me drejtësinë për këtë aferë dhe deri më tani nuk është paraqitur për masat e sigurisë në muajin nëntor. Ditët që Berisha duhej të shkonte para SPAK, ai ka zgjedhur që të strehohet në Kuvend duke sulmuar drejtësinë. Edhe sot, në orën 10:00 pritet që të mblidhet Kuvendi dhe ish-kryeministri nuk dihet nëse do të shkojë në SPAK, por deri më tani ai ka lënë të nënkuptuar që nuk do të paraqitet pasi nuk e njeh masën e sigurisë.

Nëse Berisha vijon refuzimet ndaj drejtësisë, ai rrezikon masë më të rëndë si ajo ‘arrest shtëpie’. Po sot, duhet të paraqitet në SPAK edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, i cili deri më tani në ndryshim nga Berisha është paraqitur para oficeres së Policisë Gjyqësore. Bektashi akuzohet për bashkëpunim me Jamarbër Malltezin në korrupsion e pastrim parash me qëllim përfitimin e 5.4 milionë eurove nga dhëndri i ish-kryeministrit.

Kujtojmë, që Apeli i GJKKO ka refuzuar ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën. Ishte gjytarrja në konflikt interesi që mori vendimin, ndërsa liroi nga paraburgimi dhëndrin Jamarbër Malltezi. SPAK do e vijojë betejën e ligjore për të  kthyer në burg Jamarbër Malltezin, pasi i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë.

sali berisha spak