TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Mars 2023, 12:38

Alibeaj dhe aparatçikët e PDSH-së që ekzekutuan opozitën reale në Korçë!

Shkruar nga Pamfleti
Alibeaj dhe aparatçikët e PDSH-së që ekzekutuan
Foto Ilustruese

Dorëheqja në Shqipëri është institucion i panjohur, por ja që ende në ka njerëz parimorë, të virtytshëm dhe të përgjegjshëm për rolin e gjithësecilit në historinë e një vendi. Ka ende njerëz që mund të përballen me regjimin e Ramës, por kur shfaqen grupime të tilla opozitare, nuk i lejon dhe i asgjëson vetë partia ku aderojnë…

Lista e Këshilltarëve të Bashkisë Korçë u hartua prej Kandidatit Gjergji Gjata në konsulencë dhe vendimmarrje me anëtarësinë e PD-së (anëtarësia është ndarë dhe çdo pjesë e saj bën jetën politike atje ku mendon).

Kryesi legjitime nëpër rrethe PDSh nuk ka, as të rizgjedhur kryetarë Dege, për pasojë forca e vendimmarrjes i ka kaluar anëtarësisë, akoma edhe më demokratike në fakt, sesa një kryesi me të përzgjedhur të kryetarit.

Foltorja nga ana tjetër që pretendon se ka kryesinë e PD nëpër Degë, vendimet që merr janë të pavlefshme ligjërisht për sa kohë një vendim gjykate është në fuqi.

Kur Foltorja nuk njihet nga institucionet si formacion politik, as kryetarët dhe kryesitë e saj nëpër rrethe nuk njihen. Fakt! Ndaj dhe futja e demokratëve jo si parti, por si individë në koalicionin me LSI (PL) është një akt  i turpshëm për çdo të djathtë.

I kthehemi vendimmarrjes sonë për dorëheqje dhe ju theksojmë si më poshtë:

1. Anëtarësia e PD në Korçë dhe Gjergji Gjata si kandidat i PDSh (votuar nga Kryesia Qendrore e saj me vota unanime) hartuam listën e Kandidatëve për Këshilltarë Bashkie. Hartim liste dhe vendimmarrje më shumë se legjitime dhe demokratike. Gjithkush nga kandidatët e dinte numrin rendor në listë dhe ishte dakortësuar për të.

2. Lista u dorëzua pranë PDSH dhe i është kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të PDSh që të mos ketë ndryshime dhe ai ka pohuar se "nuk ka pse, nuk ka asnjë arsye që të ketë ndryshime në listë". E njëjta kërkesë i është bërë edhe kryetarit në detyrë Alibeaj dhe disa drejtuesve të tjerë të PDSh, të cilëve u është deklaruar që nëse Lista do të ndryshohej do të pasonte dorëheqje e të gjithëve.

3. Një aparatçik partie, Eris Hoxha, me synime politike, që ndjek nga pas Enkelejd Alibeajn nëpër takime, të cilin prezenca e Gjergji Gjatës si kandidat dhe e listës me njerëz plot vlera në Korçë, e tronditi, shumë madje, ndaj vendosi të bëjë paudhësinë dhe skandalin e ndryshimit të listës.

Alibeaj dhe aparatçikët e PDSH-së që ekzekutuan
Gjergji Gjata

4. Në mbrëmjen e datës 27 mars, Lista e Kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Korçës u ndryshua sipas dëshirës së Eris Hoxhën dhe Enkelejd Alibeajt, pa vendim të organeve të zgjedhura drejtuese, në thyerje të statutit të PDSh dhe të procedurave legjitime të hartimit të listave.

Çuditërisht, ndryshon vetëm Lista e Korçës me dorën magjike të dyshes që po flijonin Bashkinë ku do të merrnin rezultatin më të mirë në Republikë dhe ku Berisha do të ishte i treti me diferencë të madhe votash.

Pse vallë? Të mëdha dhe të shumta dyshimet!

5. Për këtë vendim të paligjshëm, anti statutor, arbitrar dhe cënues për anëtarët dhe të kandiduarit do të ndjekim të gjitha procedurat për ta vënë përpara përgjegjësisë ligjore këdo që guxoi të dalë mbi anëtarët dhe partinë.

6. Kryetari në detyrë ka lejuar të bëhet një krim elektoral, brenda partisë, Kryesia e PDSh po hesht përballë një skandali që mban për autor aparatçikun Hoxha dhe për ekzekutor të komanduarin Alibeaj.

7. Anëtarësia e PD në Korçë i bën me dije z.Alibeaj keqardhjen për formën sesi ka lejuar të përdoret, por edhe qëndrimin e prerë që Korça do të sjellë ndryshimin e kryetarit të PDSh.

Demokratë që po ju përdor Foltorja dhe iu ka futur tani nën sqetullën e Metës, po ju themi se nuk ka më kohë për të humbur.

Pazaret e deputetit Salianji, që të fusë në KQZ listë tjetër për Këshillin Bashkiak, nga PDSh, meqë 40 kandidatë u tërhoqën, janë të ulëta dhe të fëlliqura. Të pakënaqurit e Foltores që kandidatja Aliolli dhe kryetari i Foltores Osmani i lanë jashtë listave për Këshillin Bashkiak në kuadër të koalicionit, dëshirojnë t'i fusin në Partinë e “vulës”, së Alibeajt. Ky është morali i atyre që kanë drejtuar dhe drejtojnë PD-në në Korçë.

Në këtë letër, anëtarë të Foltores i drejtohen Alibeajt dhe Bardhit duke i njohur, për rrjedhojë, zyrtarisht ata si PD legjitime.

Mesa duket të nderuar demokratë, këta që na drejtojnë kanë pazare mes tyre, ne kemi qenë dhe jemi vegla në përdorim. Gjergji Gjata personalisht dhe ne, kurrsesi, nuk kemi qenë vegël e askujt. U përballëm me Berishën dhe u larguam për parime, sepse u krye krim zgjedhor, edhe nëse nuk do të ishte vjedhur vota dhe Gjergji Gjata do të ishte fitues i primareve, sërish do të ishim larguar, sepse nuk do të kandidonim kurrë me Ilir Metën dhe për LSI-në, kurrë nuk do i fusnim demokratët e Korçës në vathën e atyre që instaluan blerjen e votës në Shqipëri. Sot po përballemi me Alibeajn dhe po largohemi sërish për parime. Gjergji Gjata mund të qëndronte dhe të pranonte edhe diskretitimin që po u bëhej 40 këshilltarëve me heqje dhe spostime, të merrte dhe milionat e fondeve të partisë për fushatën, të qëndronte edhe urtë duke u udhëhequr nga thënia "qengji i urtë pi dy nëna". Nuk e bëri as ai dhe as ne dhe nuk kemi për ta bërë ndonjëherë.

Janë e njëjta shkollë politike. Nëse nuk bashkohemi ne, demokratët, këta partinë do të vazhdojnë ta kenë plaçkë dhe biznes.

Kandidimi i Gjergji Gjatës dhe Lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak tronditi disa si Eris Hoxha, nga Pogradeci, që kërkojnë poste dhe ofiqe të falura dhe përballë një Korçe me njerëz që për herë të parë po bënin betejë reale me Peleshin dhe rilindasit, këta aparatçikë shndërroheshin në miniatura përpara nesh dhe nuk kërkonin dot poste më vonë. Mundësisht Erisi dëshiron të bëhet pak deputet, por jo me votat e tij, por duke u pozicionuar i pari në listë. Eris Hoxha e kishte të gjithë mundësinë të kandidonte për kryetar Bashkie në Pogradec dhe të maste forcën dhe kredon e tij politike. Më pas të kërkonte ofiqe pasi të shikonim sa i mbante samari. Por nuk e bëri, sepse e di mire që ka më pak vota, sesa gishta në duar. Ndërkohë që ka të gjithë epërsinë që të fusë duart në Korçë, në Tiranë dhe ku të mundet për të shkatërruar PD-në dhe për të zhbërë opozitën. Dështakë në politikë dhe në profesion, që hiqen zvarrë pas partish për të rrëmbyer mesa të munden.

Të kenë bërë vallë ndonjë pazar edhe me Peleshin këta aparatçikët, apo këta të Foltores që i dërgojnë letra Alibeajt? Sepse fushatë kundër Peleshit dhe pro qytetarëve me program europian zhvillimi, vetëm ne kishim. Të ketë pazar vallë për të na zhdukur? Çdo gjë e mundshme!

Kur të bashkohen demokratët e të djathtët dhe të shporren aparatçikët dhe të paaftët, ata që shiten për një vend pune, apo për pak lekë, mund të shpresojmë tek ndryshimi.

Sqarojmë publikun se vendimi i marrë nga Alibeaj dhe Hoxha është antistatutor dhe do të ndjekim të gjitha hapat ligjore për marrjen e përgjegjësive dhe ndëshkimin e abuzuesve, e atyre që marrin vendime personale për formacione kolegjiale. Demokracia është forca e ligjit dhe liri në vendimmarrje që favorizon shumicën.

Këta që drejtojnë janë të gjithë në pakt dhe pazare mes tyre. Të gjitha palët, pa përjashtim.

Partinë e shndërruar në Foltore e kanë marrë peng që të shpëtojnë Zenin, kurse PDSH-në që po jepte shpresa se po spastrohej nga e vjetra, e kthyen sërish në një parti të modelit punist ku një person vendos për të gjithë.

Revolucionin imagjinar të Foltores kundër Ramës, duhet të kthejmë në revolucion real Brenda PDSH-së.

Një grup anëtarësh të PD Dega Korçë

alibeaj gjergji gjata dega e pd-së korçë

Lini një Përgjigje