Ambasada e SHBA darkë me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë, zero vëmendje politikës...
Ambasada e SHBA i ka dhënë tjetër goditje politikës shqiptare.
Që pas fitores së Donald Trump, reagimet prej saj kanë qenë shumë të pakta dhe të matura, teksa takime me përfaqësues politikë nuk ka pasur në asnjë moment.
Sinjalet e para të ftohjes u dhanë pas zgjedhjeve të 11 majit, ku ambasada foli me kode, duke mos uruar Ramën, por edhe duke mos përfillur akuzat e opozitës. Mirëpo, goditja e madhe ka ardhur sot.
Ambasada e SHBA ka mbajtur një darkë me rastin e festës së 249-vjetorit të Pavarësisë. Është bërë traditë tani që disa ditë para 4 korrikut, ambasada zhvillon pritje ku fton politikanë, përfaqësues të medias, komuniteteve fetare etj. Edhe sot kjo darkë është mbajtur, por u vunë re dy elemente.
Në fjalimin që ka mbajtur e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, është shmangur tërësisht politika. Në të gjitha rastet e mëparshme është folur për raportet mes dy vendeve, ka pasur mesazhe për drejtësinë, politikën etj., por këtë herë jo. VanHorn është ndalur te pavarësia e SHBA-së dhe te bashkëpunimi ushtarak.
“Tashmë udhëheqësit tanë janë duke u kthyer në shtëpi nga Samiti i NATO-s, ku Aleatët u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së së tyre çdo vit për kërkesat bazë të mbrojtjes. Ne po mbështetemi tek aleatët tanë që të bëjnë pjesën e tyre për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë. Në fillim të këtij muaji, pata nderin të shihja se si forcat shqiptare dhe amerikane punonin së bashku në Stërvitjen DEFENDER-Europe 'Përgjigje e Menjëhershme'. U preka thellë kur dëgjova nga një prej partnerëve tanë shqiptarë historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së gati një dekadë më parë. Ai la pas një vajzë të vogël – tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj. Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi aleatë si Shqipëria”, tha ajo.
Po ashtu, fjalë rasti në këtë eveniment ka mbajtur Shefi i Shtabit, Arben Kingji, i cili u falënderua nga diplomatja dhe jo përfaqësues të politikës.
Elementi i dytë është se të pranishëm në ceremoni kanë qenë më pak politikanë se herët e tjera. Aty ka qenë kryetarja e Kuvendit, Spiropali, disa ministra e shumë pak deputetë. Por ambasada e SHBA-së nuk ka shpërndarë asnjë foto nga prezenca e tyre.
Çdo vit, ambasada ka shpërndarë me dhjetëra foto nga takimet, ku mund të shiheshin të gjithë të ftuarit. Por sot, ambasada e ka shmangur totalisht politikën. Edhe te fotoja që ka shpërndarë ambasada, janë kujdesur të shihen vetëm diplomatja dhe kreu i Shtabit. E gjitha kjo, jo pa qëllim:
Mos është vallë ky një sinjal se një tjetër epokë po vjen? Apo mos i ka ardhur në majë të hundës SHBA-së me politikën shqiptare? Duhet të presim dhe të shohim kur të vijë ambasadori i ri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje