Politike13 Maj 2024, 10:54

Ambasadori i BE-së: Shqipëria ndodhet në një fazë kritike, administrata e pavarur kyçi i anëtarsimit

Shkruar nga Pamfleti
Ambasadori i BE-së: Shqipëria ndodhet në një fazë
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato është shprehur se Shqipëria ndodhet në një fazë kritike në bisedimet për anëtarësim, duke theksuar se një administratë e pavarur dhe transparente është kyç për suksesin e vendit tonë në negociatat e anëtarësimit.

Gonzato i bëri këto komente pas një takimi pas përmbylljes së projektit financiar nga Bashkimi Europian në ndihmë të administratës.

“Kjo fazë u ka dhënë 23 nëpunëse të rinj të administratës publike mundësinë për t’u formalizuar me legjislacionin e BE-së, por edhe me mënyrën si zyrtarë të administratës publike të BE-së punojnë. Siç u tha, vjen në një kohë mjaft të mirë, në kohën kur Shqipëria ka mbërritur në një fazë kritike në bisedimet për anëtarësim, një fazë ku rëndësia e administratës publike, një administratë publike e cila është kompetente, që është e pavarur, që është transparente është kyç për suksesin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit”, u shpreh ai.

Gonzato theksoi se reformimi i administratës publike është mes grupkapitujve themelorë.

“Është në kapitullin që do të çelë negociatat e do të mbyllë ato. Kapaciteti i administratës do të jetë edhe më i rëndësishëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE sepse duhet të përshtateni me kushtet e tregut të përbashkët dhe që të jeni në gjendje të përdoren efektivisht instrumentet që BE vendos në dispozicion të shteteve anëtare”, tha ai.
Projekti Young Cells Albania, i financuar nga BE, synon ngritjen e kapaciteteve për nëpunësit civilë të administratës publike, përmes trajnimeve, praktikave dhe vizitave studimore në administratat e vendeve anëtare të BE-së.

silvio gonzato administrata e pavarur shqipëria be