TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Korrik 2025, 11:46

Andia Ulliri kërkon me ngulm mandatin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, KAS shqyrton vendimin e KQZ

Shkruar nga Pamfleti

Andia Ulliri kërkon me ngulm mandatin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, KAS

Komisioni i Ankesave dhe Sanksione ka nisur mbledhjen e ditës së sotme me pikën e parë të rendit të ditës, shqyrtimin e ankimimit të kandidates së PD-së për zgjedhjet e 11 majit për qarkun Durrës, deputetes aktuale Andia Ulliri, e cila nuk u rizgjodh dot nga lista e hapur për legjislaturën e ardhshme.

Kandidatja ka kërkuar që të zbatohet Kodi Zgjedhor për kuotën gjinore dhe t’i jepet asaj mandati i deputetes që e ka fituar ish-prokurori i shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja.

Ulliri u përfaqësua në këtë mbledhje nga mbrojtësi i saj ligjor Indrit Sefa, i cili deklaroi se duhet të respektohet Kodi Elektoral për kuotat gjinore, pasi vihet re se në listat e mbyllura, jo vetëm në Durrës por edhe qarqe të tjera, nuk është respektuar.

Ai tha se në raste si Lezha ka vetëm burra në listat e mbyllura ndërsa shtoi se mandati në Durrës i takon kandidates Ulliri.

"Nga 5 fituesit e listës së mbyllur aty gjendet vetëm një grua dhe sipas kuotës 30%, emri i radhës, pra i gjashti, i takon pikërisht Ullirit", tha Sefa.

Përfaqësuesit e KQZ u shprehën kundër, duke deklaruar se është bërë shpërndarja e mandateve sipas listave përkatëse, të mbyllura dhe të hapura në listë rendore, apo fituese.

Në mbledhjen e kaluar të KQZ-së, kryekomisioneri Celibashi i rrëzoi pretendimet e kandidates dhe mandatin ia dha Arjan Ndojës, teksa miratoi shpërndarjen e mandateve për qarkun Durrës.

Lini një Përgjigje