
Gjykata vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit...
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) zhvilloi sot seancën për shqyrtimin e kërkesës së ish-presidentit të Shqipërisë dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”. Në përfundim të procesit, gjykata vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit, duke refuzuar kërkesën e Metës për ta zëvendësuar me një masë më të lehtë.
Seanca e sotme, e mbajtur nën drejtimin e gjyqtares Igerta Hysi, u fokusua në ankimimin e paraqitur nga avokatët e Metës kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila më 26 qershor 2025 konfirmoi masën e arrestit të dhënë që nga 21 tetori 2024.
Meta, i cili ndodhet në qeli prej 9 muajsh, ka kundërshtuar vazhdimisht masën, duke e cilësuar atë si një vendim me prapavijë politike dhe pa baza ligjore.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani pas përfundimit të seancës e quajti persekutim politik vendimin e Apelit të GJKKO-së për lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj kreut të PL-së.
“Presidenti ka 9 muaj në paraburgim, është e paprecedentë që Presidenti i Republikës të qëndrojë 9 muaj në paraburgim pa përfunduar hetimet. Po mbahet në kushtet e një persekutimi politik, ju e dini mirë se çfarë po heq ai sot në paraburgim ku i janë mohuar të drejtat elementare siç janë ato e ushtrimit të telefonatave me kolegët, apo anëtarët e Kryesisë apo familjes së tij. Meta është aty do të përballet me të gjithë, është një individ që nuk mposhtet kollaj. Meta do të vazhdojë të përballet me këta”, tha Cakrani.
Ndërkohë që pak ditë më parë, kreu i PL-së ka bërë një ankim në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë që e la atë në arrest me burg. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Meta shprehet se vendimet e 3 gjykatave ai i Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, dhe Gjykatës së Shkallës të Parë, për masën arrest me burg ndaj tij, janë antikushtetuese, pasi shkelin Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se po mbahet në qeli pa akuzë.
Kujtojmë se Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Arrestimi u bë me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të hetimeve të nisura që nga viti 2019 për aferën CEZ-DIA, e cila lidhet me privatizimin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve, si dhe për pagesa të padeklaruara për lobim në Shtetet e Bashkuara nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), tashmë Partia e Lirisë.
Po ashtu, Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, akuzohen për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, përfshirë blerjen e pronave dhe shpenzime mjekësore të padeklaruara gjatë periudhës 2013-2019.
Lini një Përgjigje