Politike 1 Mars 2024, 14:12

Opozita çon në Kushtetuese ligjin për Komisionet Hetimore, Dhurata Çupi: Ju kujtoj gjyqtarëve se nuk janë strukturë e PS-së

Shkruar nga Pamfleti
Opozita çon në Kushtetuese ligjin për Komisionet Hetimore,
Dhurata Çupi

Anëtarët e Komisionit të Ligjeve të Partisë Demokratike të grupimit të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit kanë depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e ligjit për Komisionet Hetimore.

33 deputetë të opozitës hodhën firmat për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Komisioneve Hetimore dhe Dhurata Çupi që dorëzoi kërkesën në Kushtetuese.

Ajo tha se me këtë ligj mazhoranca synon të privojë opozitën nga e drejta për të kontrolluar qeverinë, ndërsa kërkoi pezullimin e ligjit deri në vendimin përfundimtar.

 Çupi i ka bërë thirrje anëtarëve të kësaj gjykate që të ruajnë lartësinë dhe integritetin e postit që mbajnë.

“I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të jetë në lartësinë e integritetin që jep posti i anëtarit të GJK. Ju kujtoj se nuk janë strukturë e PS-së, por është një institucion që duhet të këtë integritetin e institucionit që përfaqësojnë. Ka një praktikë që i njohin të drejtën pakicës parlamentare si instrument kontrollit të pushtetit ekzekutiv.”- tha ndër të tjera në fjalën e saj Dhurata Çupi.

Kujtojmë se mes kaosit , Kuvendi votoi më 21 dhjetor ligjin për Komisionet Hetimore. Me 75 vota pro u votua ligji i ri i cili përcakton qartë sipas socialistëve objektin e komisioneve hetimore. 

Ligji i ri sipas socialistëve qartëson balancën mes legjislativit dhe organeve të drejtësisë, ndërsa përcakton qartë se kur do të ngrihet një komision hetimor, ndërkohë që sipas mazhorancës deri më tani komisionet hetimore janë përdorur për luftë politike.

Këto ndryshime ligjore opozita i ka kundërshtuar dhe i konsideron si tentative të mazhorancës për t’i hequr të drejtat që opozitës ia jep Kushtetuta.

Ngritja e Komisioneve hetimore është një nga 3 kushtet që Rithemelimi ka për të rikthyer normalitetin në Kuvend.

dhurata Çupi