Politike23 Prill 2023, 12:29

Berisha: Saranda dhe Ksamili po marrin fund, mafia po bën masakër

Shkruar nga Pamfleti
Berisha: Saranda dhe Ksamili po marrin fund, mafia po bën masakër
Ish kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar rrezikun që sipas tij po kërcënon jugun e vendit.

Gjatë fjalës së tij në Delvinë, Berisha akuzoi mazhorancën se po cakton në bashkitë e jugut njerëz të lidhur me bandat dhe mafian me synimin e vetëm për të grabitur, plaçkitur dhe masakruar resurset e kësaj zone.

“Famir Shero ka përballë përfaqësuesin e Rilindjes, i cili do të bëjë pazar gjithçka me pasuritë e Konispolit. Kështu me radhë. Në Përmet, Edmond Komnino, në Këlcyrë, Arjan Kasaj, në Tepelenë një inxhinier i shkëlqyer, i kthyer pas 30 vitesh nga Kanadaja, ka përballë Tërmetin që po të kishte një emër tjetër do t’i thonin më mirë, tmerr njeri. Albert Malaj, në Memaliaj. Disa prej tyre i takoja për herë të parë, por disa prej tyre më impresionuan shumë. Njerëz me identitet, njerëz me CV. Dëgjova programin e Ilirit, program i një qeveritari të vërtetë, program i një njeriu që sheh me sensin e përgjegjësisë, çdo potencial dhe problem të Delvinës. Programin e një njeriu që merr përgjegjësi. Dhe kështu në çdo bashki të jugut. Jugu ka një rrezik madhor, mafian, mafian dhe vetëm mafian. Po e shkatërrojnë.

Shkoni në Kasamil, aty po ndodh një masakër e paimagjinueshme. Mafia. E ka thënë bukur Faik Konica; Zoti mbrojtë Shqipërinë nga shqiptarët. Ka pasur parasysh që do të vinte, se ka qenë si punë profeti në mençurinë e tij Faik Konica dhe ka pasur parasysh se do të vinte një ditë mafia shqiptare që do ta shkatërronte. Nuk ka pushtues që mund të sillet në këtë mënyrë ndaj një vendi, siç po sillen këta qeveritarë.”, tha Berisha.

berisha saranda mafia masaker