Ish-kryeministri, Sali Berisha ka komentuar kontrollet në pronën e bashkëjetueses së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Teksa mori në mbrojtje sërish ish-ministrin, tha se kreu i qeverisë është autori kryesorë i incerenatorëve dhe se nuk shpëton dot. Berisha sulmoi edhe SPAK-un për të cilin tha se është shndërruar në një repart të PS që i bindet urdhërave të Ramës.
“Rama-Veliaj janë autorë kryesorë të aferës së tmerrshme të djegësave. Kryetar është direkt Edi Rama. Ia dha Arben Ahmetaj. Le të kontrollojë syndyqet e gruas së Ahmetajt, por nuk shpëton Edi Rama nga afera e djegësve. Të bëjë ç’të dojë, të kontrollojë kë të dojë. Ai është njeriu që mobilizoi qeverinë për një aferë të tmerrshme. Erion Veliaj kreu krimin e shëmtuar duke firmosur në emër të gjithë këshillit dhe sot gjobit qytetarët me 18 euro për çdo ton. Janë të zier në krim, janë të mbrujtur në krim, janë të pashpresë. Ndaj i bën këto. Kontrollon shtëpitë vetëm për të shpëtuar nga inceneratorët. Se SPAK është shndërruar totalisht në repart të PS-së. Totalisht!”-tha Berisha në komunikimin për mediat.
Një ditë më parë me vendim të Gjykatës Kundër Korrupsionit, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontroll në një prej pronave të bashkëjetueses së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj.
Kontrolli është bërë në funksion të dosjes hetimore ngritur për aferën me inceneratorët. Burimet thonë se nga kontrolli janë gjetur shuma të arsyetuara parash dhe asgjë e paligjshme.
Megjithatë, oficerët e BKH dhe SPAK po kryejnë një verifikim të pasurive jo vetëm të ish-ministrit por dhe të ish-bashkëshortes së tij dhe bashkëjetueses në disa rezidenca, kryesisht në Tiranë dhe Durrës.
Lini një Përgjigje