Kreu i PL, Ilir Meta ka folur për mediat pas takimit që ka zhvilluar mesditën e të premtes në selinë blu me ish-kryeministrin Sali Berisha. Meta u tregua i rezervuar dhe nuk ndau shumë detaje nga diskutimi kokë më kokë me Berishën. Ai tha shkurt se kandidatët e PD janë të mrekullueshëm dhe se opozita do jetë e bashkuar në zgjedhje, teksa nxitoi të largohej nga gazetarët.
“Të zhvendosim monizmin nga pushteti vendor dhe një herë e përgjithmonë të kthejmë llogaridhënien. Të gjithë opozitarët janë bashkë për ndryshim. Kandidatët e Primareve janë të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, nga Tropoja në Sarandë janë kandidatë edhe të Partitë së Lirisë. Për të çrrënjosur monizmin nga pushteti vendor dhe njëherë e përgjithmonë për të rikthyer llogaridhënien.”-tha kreu i PL.
Ai nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së pse Partia e Lirisë nuk pranon asnjë emër nga Berisha në listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillave Bashkiakë, duke thënë vetëm se Këshillat bashkiakë do të jenë të opozitës.
Pyetje: PD dhe PL do dalin në një koalicion së bashku?
Meta: Të gjithë opozitarët janë bashkë për ndryshim. Kaq, faleminderit.
Pyetje: Do pranoni kandidatë të PD për këshillat bashkiakë?
Meta: Kandidatët e primareve janë të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm. Nga Tropoja në Sarandë ne i konsiderojmë të gjithë kandidatë edhe të PL.
Pyetje: A do ketë kandidatë nga PD për këshillat bashkiakë?
Meta: Shumica dërrmuese e gjithë këshillave bashkiakë do jetë e opozitës së bashkuar.
Lini një Përgjigje